Video/ Qielli “vishet” me ngjyra në Indonezi, regjistrohet fenomeni i rrallë i reve Orenc Graca është një 9-vjeçar me prirje jo si bashkëmoshatarët e tij. Djali ka pasion pianon. Gjithçka nisi tre vite më parë, kur vogëlushi ishte vetëm 6 vjeç.
Prindërit kishin vënë re se fëmija i tyre ishte shumë i dhënë pas muzikës dhe kërcimit, gjë që bëri që Orenci të regjistrohej fillimisht në kursin e pianos. Që në hapat e parë, familjarët e nxitën dhuntinë e djalit, ndërsa nga mësuesja e pianos u konsiderua si një talent me dhunti të veçanta.
Dita e artistit të vogël fillon me përgatitjen e çantës së shkollës, për t’ju drejtuar më pas ambienteve të Shkollës së Muzikës.
Lusena Graca, mamaja e Orencit, shprehet: “Ka filluar me pianon që në kopsht dhe ne menduam që talenti t’i zhvillohej duke shkuar në shkollën profesionale të muzikës. Mua më pëlqente pianoja dhe i dhashë një drejtim Orencit që të fokusohej në piano.”
Në vitin e parë të studimit në piano, Orenci u angazhua në konkurse të ndryshme kombëtare dhe mbarëkombëtare. Falë punës së mësueses Violeta Skuqi, e cila e ka ndjekur atë që në fillim, djali ka marrë frytet e para.
“Fati i Orencit që atë vit erdhi edhe mësuese Violeta sepse falë punës së saj dhe të vetë Orencit, gjithçka po shkon shumë mirë”, shton mamaja e djaloshit.
Aktualisht ai është nxënës në klasën e tretë të Shkollës së Muzikës “Onufri” në Elbasan. Në vitin 2011 mori pjesë në festivalin 16-të kombëtar si dhe i 10-ti mbarëkombëtar, ku u vlerësua me çmimin Absolut.
Tjetër çmim i rëndësishëm për Orencin ishte ai i marrë në “ArsKosova”, event në të cilin 9-vjeçari rrëmbeu sërish çmimin Absolut. Festivali i 17-të mbarëkombëtar “Pianisti i Ri” ishte sfida e radhës për talentin i cili përsëri u vlerësua maksimalisht: “Gjysma e ditës i kalon në shkollë, ndërsa pjesa tjetër në shtëpi. Ka marrë shumë vlerësime në Shqipëri dhe në Itali gjithashtu.”
Në dhjetor të vitit 2012, vogëlushi merr pjesë në takimin e tretë kombëtar “Duete Pianistike”, aktiviet që i dhuron sërish çmimin absolut. Viti 2013 nis pozitivisht. Në konkursin e përvitshëm “Pianisti i Ri”, Orenci vlerësohet rishtazi me çmimin absolut, ndërsa në natën e finalistëve rrëmben çmimin “Orkestra RTSH “, çka do të thotë një mundësi e mirë për të luajtur me Orkestrën e RTSH-së.
Në të gjitha konkurset brenda dhe jashtë vendit, djali nuk i është ndarë pikëve maksimale duke treguar se një qytet i vogël si Elbasani, rrit një talent premtues.
Festivalet e pianos
Festivali Mbarëkombëtar “Pianisti i Vogël” e ka zanafillën në vitin 1995.Qëllimi kryesor i festivalit është vlerësimi dhe nxitja e talenteve të reja, ku përveç vlerësimit të më të mirit, mësuesve të konkurrentëve u jepet mundësia të shkëmbejnë përvojën.
Juria përbëhet nga specialistët më të mirë të fushës.Gjatë viteve, në jurinë e këtij festivali kanë kontribuar figura të shquara si kompozitorët Cesk Zadeja, Thoma Gaqi apo pianistet Margarita Kristidhi dhe Anita Tartari. Nuk kanë munguar as pedagogët e huaj që po i japin një ndihmë konkrete talenteve.
Në historikun 18-vjeçar të festivalit ka pasur luhatje të vogla në mundësitë organizative, por pa ndryshuar qëllimin dhe strukturën. Në vitin 2003, “Pianisti i Ri” zhvendoset në Durrës, ndërsa në 2005-2009 zhvillohet në shkollën artistike të Vlorës “Naim Frashëri”. Unik në llojin e tij, në event tregues kryesor është programi i deryruar i pjesëmarrësve, një recital gati i plotë për çdo moshë.
Ai përbën një sfidë për çdo pjesëmarrës sepse jo çdo nxënës është në gjendje ta realizojë atë në publik e aq më tepër në një ambient konkurrues. Niveli i përgatitjes së nxënësit në klasë për tu ballafaquar me bashkëmoshatarët dhe jurinë përbën një përgjegjësi profesionale që kërkon pasion. Për këtë qëllim, pas viti 2004 mësuesit me arritje të ndjeshme tek nxënësit e tyre vlerësohen nga juria me Diploma Nderi, ndërsa mbetet për tu theksuar fakti se talente të reja e kanë patur Festivalin si “kumbar” në rrugën e artit.
Top Channel