Kur faktori rezus përbën problem

06/06/2013 18:20

Të gjitha tipet e grupeve të gjakut mund të jenë Rh pozitiv apo Rh negativ. Nëse në rruazat e kuqe të gjakut (eritrocitet) gjendet proteina e quajtur “faktori rezus”, atëherë personi, pavarësisht grupit te gjakut, është Rh pozitiv.

Një numër i vogël i njerëzve nuk e kanë këtë proteinë. Rreth 15% e njerëzve janë Rh negativ.

Ky faktor nuk ndikon absolutisht në gjendjen e përgjithshme të shëndetit përveç një rasti, gjatë shtatzënisë.

Në momentin që një femër ka një grup gjaku me rezus negativ dhe partneri i saj ka një grup gjaku me rezus pozitiv, atëhere ky kombinim mund të rezultojë me një bebe me rezus pozitiv. Ky kombinim mund të jetë problem për nënën dhe fëmijën në disa raste.

Pavarësisht faktit se sistemet e qarkullimit të gjakut janë të ndara tek nëna dhe tek fëmija, ka momente kur gjaku i bebit hyn në kontakt me gjakun e nënës. Ky kontakt bën që organizmi i nënës të prodhojë antitrupa kundër rezusit pozitiv të fëmijës, duke e konsideruar fetusin si të dëmshëm për mamin. Kur ndodh një gjë e tillë, thuhet se nëna është e ndjeshme.

Një nënë me rezus negativ me një bebe me rezus pozitiv mund të mos kenë asnjë lloj problemi në rast se nëna nuk është e ndjeshme. Organizmi i një nëne të ndjeshme prodhon antitrupa, të cilët sulmojnë gjakun e një fetusi me rezus pozitiv, shkatërrojnë qelizat e kuqe të gjakut duke shkaktuar një anemi të fortë.

Në raste shumë të rënda kjo sëmundje e gjakut çon në dëmtime të trurit dhe mund të çojë edhe në humbjen e foshnjës.

Top Channel