Është një nga krenaritë e bukurive të Shqipërisë, riviera. Pamjet e saj i ka mbledhur fotoreporteri Alket Islami.

Imazhe të marra nga ajri, në albumin “Albanian Riviera from the sky” (Riviera shqiptare nga qielli), i cili u promovua në Tiranë, mbrëmjen e së martës.

“Ky volum, që në titull, ndryshon nga volumet e mia të para, sepse është një udhëtim linear i gjithë bregut të detit, i rivierës sonë të mrekullueshme, pra kemi dashur të bëjmë një homazh për bregdetin dhe duam që, me këtë album, t’u japim atyre që do e lexojnë, informacion shumë më të detajuar për gjithë vijën bregdetare të mrekullueshme, duke filluar nga gjiri i Vlorës e deri te kepi i Stillos në fund të Butrintit”, është shprehur Alket Islami, fotoreporter.

Janë 399 fotografi, një pjesë e tyre e shoqëruar me informacione mbi pika të ndryshme turistike.

“Është dashur një kohë prej 8 vjetësh pune intensive, për të përmbledhur në këtë album fotografi të plazheve të virgjër, si kanë qenë e si janë, dhe evoluimet e këtyre plazheve nga pikëpamja urbane, kështu që, ato që do e lexojnë do të kenë mundësinë të shikojnë edhe raportet mes asaj që ka qenë dhe asaj që është tani”, shtoi Islami.

Ky është albumi i tretë i publikuar nga Alket Islami. Dy të parët, “Albania from the air”, 1 dhe 2, me pamje të përgjithshme nga Shqipëria. Projekti i katërt do t’u dedikohet alpeve vendase.

Top Channel