“Muzika”, gjithçka për mua

05/06/2013 19:00

Ajo është nëna e një balerini të ardhshëm, nënë e bijë kanë një pikë të fortë të përbashkët.  Ata e ndjejnë muzikën dhe ajo i ka shoqëruar në çdo hap, por për Afërditën muzika është gjithcka.

“Unë ndiej një kënaqësi që çdo hall e çdo problem e kaloj vetëm me muzikën. Për mua muzika është asi i shpirtit tim, është zemra ime, nuk e di, gjithçka e kaloj nëpërmjet muzikës dhe kërcimit. Të gjitha këto vite që kam kaluar në rini, i kam kaluar vetëm me muzikë, më këndon shpirti e ndiej”, thotë Afërdisa për programin e “Pasdites” në “TCH”.

Ishte ende e vogël kur i lindi pasioni për muzikën, ishte koha kur këndonte në koncertet e shkollës dhe fitonte cmime të para.

“Me shkollën aktivizohesha gjithmonë, me merrnin në koncerte, pastaj në 8-vjeçare nisa në festivalet e rrethit e qytetit, jepnin koncerte në shumë rrethe, Gjirokastër, Sarandë e pranë kufirit”, kujton ajo.

Ajo nuk mundi ta ndiqte ëndrrën e saj. Ka kaluar momente të vështira, me shumë ulje ngritje. Jeta i rezervoi surpriza të pakëndëshme dhe ato caste jo shumë të këndshme për të i kujton me shumë dhimbje e me lot ndër sy.

“Na ndodhi që motra ime u dashurua me një djalë që sot e ka marrë për burrë, por kur u mor vesh kjo dashuri më bllokuan mua në familje, s’më linin të dilja nga shtëpia, vite vite nuk dija çtë beja në shtëpi, këndoja e kërceja vetëm. i thashë babait që do të shkoja në shkollë, por as këtë nuk ma lejoi. Pastaj nuk haja as pija, por mundohesha t’i kaloja me muzikë, thoja do hidhesha nga ballkoni, përse të më ndodhë mua, por përsëri e kaloja me muzikë”, thotë Afërdita.

Pavarësisht se në ato vite Shqipëria ishte e izoluar, në radio transmetohej muzikë e vendeve mike. Në adoleshencë shoqja e saj më e mirë ishte muzika, ajo e  ka ndihmuar edhe në momente kritike dhe shumë të vështira për një të re që kishte thurur shumë ëndrra për të ardhmen e saj.

“Unë dëgjoja muzikë dhe kur e dëgjoja, këngë meksikane ka qenë një senjor Lopen, e kur dëgjoja vetë hapja dritaret të shifja dhe të tjerët se më duket se me këtë këngë do i kënaqja edhe të tjerët e do shihja si do të reagonin, e kur shihja që ngrinte dikush kokën lart, thoja i pëlqeu dhe më bëhej qejfi”, mban mend Afërdita.

Ritmet që ka dëgjuar dikur i janë gdhendur në memorje dhe vështirë se do t’i harrojë ndonjëherë.

Ajo gjen veten tek muzika…ndjen cdo tingull e cdo vijë melodike… “Kur mëzitesha vetëm me muzikë arrita ta kaloja, muzikën e lehtë dëgjoja shumë atëherë, këngë greke, italiane, rock, këngët e Minës e shumë të tjera”, shprehet ajo.

Edhe sot e kësaj dite vazhdon të dëgjojë lloje të ndryshme rrymash muzikore, që nga muzika e lehtë deri tek rroku. Sipas saj muzika është kura më e mirë për cdo njeri.

Top Channel