Numri i çifteve që po divorcohen po rritet në mënyrë shumë të shpejtë krahasuar me disa vite më parë. Në Gjykatën e Tiranës raportohen shifra alarmante të këtij trendi.

Nga 1 janari i 2013-s deri në këtë fillim qershori, janë zgjidhur plot 563 martesa. Ndërsa janë paraqitur 476 padi të reja të cilat kërkojnë divorcin, në total numri i divorceve dhe kërkesë-padive për këtë çështje arrin në 1040 raste vetëm për një periudhë 5-mujore, janar-maj të këtij viti.

Dhe këto janë shifra zyrtare që i përkasin vetëm Gjykatës së Tiranës.

Nisur nga këto të dhëna, mesatarisht përllogaritet që në kryeqytet kryhen 7 divorce në ditë. Por, për shumë prej çifteve lufta midis tyre nuk merr fund me përfundimin e martesës. Madje, pas divorcit fillon hakmarrja. Prindi që humbet kujdestarinë ndodh të mos u përgjigjet detyrimeve financiare dhe për këtë Gjykata e Tiranës numëron deri në fillim të këtij muaji paraqitjen e 14 kërkesave padie për pension ushqimor.

Këtu situata mes ish-bashkëshortëve bëhet edhe më e nderë, pasi nis hakmarrja nga pala tjetër. Në shenjë proteste, prindi që mban kujdestarinë nuk lejon takimin e fëmijëve me ish-bashkëshortin. Në këto kushte fëmijët perdoren si arma e hakmarrjes. Janë të pakta rastet e ish-bashkëshortëve që arrijnë mirëkuptimin për detyrimet e mëpasme dhe aq më pak mund të pretendohet për një marrëdhënie të tyren të mirë formalisht për të mos dëmtuar fëmijën.

E nëse shifrat e larta të divorceve duket se tregojnë që shoqëria jonë po e braktis tabunë e martesës së përjetshme, çiftet janë ende shumë larg përfytyrimit për të pasur të njëjtin mirëkuptim pas divorcit.

Fëmijët pas divorcit

Të rrisësh fëmijë të lumtur është sfidë për çdo familje dhe kjo detyrë vështirësohet edhe më kur prindërit divorcohen. Kur këta prindër përballen me vështirësitë e komunikimit pas një drame personale apo familjare dhe gjithë pasoja e marrëdhënies që nuk funksionoi u faturohet  fëmijëve.

Ndaj, ajo që ka më shumë rëndësi pas një divorci është shëndeti dhe lumturia e tyre. Cfarë iku nuk rindërtohet më ndaj dhe duhen lënë pas të gjitha sherret e së shkuarës. T’u japësh fëmijëve prioritet është shumë e vështirë në kushtet e një divorci. Por nga ana tjetër, tani më shumë se kurrë ata kanë nevojë për qëndrueshmëri. Ndaj kini kujdes që dramës së parë mos i shtohet një e dytë.

Ajo që duhet të bëni pikësëpari është të pakësoni stresin e fëmijëve duke mos folur keq për ish-bashkëshortin tuaj në prani të tyre, pavarësisht sa zemërim dhe dhimbje ka brenda jush. Lërini fëmijët të mbeten fëmijë.

Nëse nuk arrihet mirëkuptimi për mbarëvajtjen e fëmijëve, gjykata nuk është zgjidhja. Nuk i takon asaj të ripërcaktojë marrëdhënien pas një divorci. Në një situatë të tillë prindërit duhet të planifikojnë funksionimin e lidhjes me fëmijët dhe marrëdhënies së mirë për hir të tyre.

Dhe që reja e zezë mos rrijë mbi kryet e fëmijëve, informojini ata për situatën. Në të kundërt do të ndjejnë gjithmonë tension mes jush. Nëse e bëni këtë dhe u tregoni arsyet që e çuan lidhjen tuaj në ndarje, të paktën ata nuk do të fajësojnë veten për situatën e krijuar.

Pas divorcit shtëpia ndahet në dysh dhe fëmijët duhet të jetojnë herë në njërën e herë në pjesën tjetër. Sigurohuni që ata të ndihen kudo si në shtëpi. Në shtëpinë e secilit prind ata duhet të ketë këndin apo dhomën e tyre. Kur prindërit ndahen, fëmijët frikësohen se nuk do të kenë më një familje. Ndaj është shumë e rëndësishme pas një situate të tillë që t’u krijosh atyre idenë e vazhdimësisë së jetës familjare. Kjo u jep stabilitet.
 
Por edhe komunikimi formalisht i mirë me ishin tuaj i bën fëmijët më të lumtur. Shkëmbimi i informacionit mund të jetë i vështirë për dy njerëz pas divorcit, por imagjinoni se çfarë situate të rëndë mund të përjetojë një fëmijë kur prindërit e tij nuk shkëmbejnë asnjë fjalë.
 
Dhe mbi të gjitha nuk mund të jesh prind i mirë nëse nuk ke kujdes të mirë për veten. Një nënë apo baba i stresuar, i bën edhe fëmijët të jenë të tillë. Ndaj, kujdesuni për veten që t’u reflektoni edhe atyre qëndrueshmëri dhe pozitivitet.

Ja si të merrni veten pas divorcit

Kur marrëdhënia e çiftit arrin në divorc, shpesh arrihet në përfundimin se ky ishte vendimi i drejtë, paçka se një ndarje është një prej përvojave më traumatike në jetë. Emocionalisht kjo ngjarje sjell shumë thyerje përbrenda, gjë e cila nuk të lejon ta marrësh veten për shumë kohë.

Ndarja në çift e ndryshon jetën tuaj në çdo aspekt. Ndryshon marrëdhënia me fëmijët, anëtarët e shtëpisë e çfarë ka më tepër rëndësi është ndryshimi që pësoni ju. Befas përballeni të vetëm pas një marrëdhënieje të gjatë për të cilën kohë më parë as që e kishit imagjinuar që mund të mbaronte kështu. Mbeteni duke vuajtur fundin e martesës, çka ju bën të humbisni të gjitha shpresat që kishit mbështetur më parë në një lidhje.

Gjeni miq të ngjashëm

Të rrish me njerëz të tjerë që kanë statusin e të divorcuarit mund t’ju ndihmojë të lexoni veten dhe tek ata është e sigurt që do të gjeni gjithmonë solidaritet. Do t’ju ndihmojë të flakni turpin që ndjeni nga ky dështim publik.

Përpiquni të falni

Për hir të fëmijëve, por jo vetëm, duhet t’i kaloni disa inate. Falja për ish-bashkëshortin dhe kapërcimi i situatës sa më butë, janë çelësi për të ndërtuar një jetë emocionale të shëndetshme. Kjo do ta bëjë jetën e fëmijëve dhe tuajën pas këtij ndryshimi të madh, më të lehtë. Le të jetë ndarja kapaku i të gjitha konflikteve!

Kujdes nga një dashuri e re!

Nëse martesa ishte brendia juaj, mos u përpiqni ta mbushni menjëherë boshllëkun që ju krijon mungesa e saj. Shumë të sapodivorcuar i fillojnë menjëherë takimet. Kjo mund të duket një mënyrë e mirë për të shpëtuar emocionalisht. Por, më përpara se të filloni njohjet e reja, duhet të jeni të sigurtë dhe të keni krijuar besimin te vetja. Nxitimi për tu futur në një shtrat tjetër është vendim i shpejtuar. Po vepruat kështu, do të përsëritni gabimet.

Mos u izoloni

Është e vërtetë që pas çdo divorci vjen vetmia, zemërimi dhe depresioni. Mundohuni që ta pranoni situatën ashtu siç është, pa teprime dhe përpiquni të mos fajësoni vetëm veten. Mos lejoni që këto ndjenja të bëhen shkak i izolimit tuaj. Afrohuni me familjen dhe miqtë sepse tek ata mund të gjeni shpëtimin. Do ta kuptoni që pak nga pak pranë tyre do të gjeni rilindjen. Vetmia nuk ua shpërblen në të njëjtën mënyrë.

Top Channel