Berisha: Rama, bllokues i integrimit

03/06/2013 00:00

Nga Cërriku, kryeministri Sali Berisha bëri thirrje për votë masive në mbështetje të Partisë Demokratike si forca që sipas tij i ka dhënë e do t’i japë një zhvillim të vazhdueshëm ekonomisë dhe integrimit të vendit.

Sipas kryeministrit, deri më sot projekti i vetëm i opozitës ka qenë bllokimi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Ju ftoj të gjithëve që për interesin tuaj më të mirë të votoni punësimin, zhvillimin dhe Evropën”, theksoi kreu i mazhorancës.

Zoti Berisha sulmoi edhe taksën progresive të Partisë Socialiste të cilën ai e quajti një mashtrim të madh që po kërkohet t’i bëhet shqiptarëve: “Rama përpiqet t’ju mashtrojë dhe trillon për të vendosur një taksë që rrënon ekonominë.”

Kryeministri u shpreh i sigurtë në fitoren e mandatit të tretë si rezultat i punës së jashtëzakonshme të bërë nga qeverisja 8-vjeçare jo vetëm në ndërtimin e infrastrukturës së vendit, por edhe në sektorë të tjerë prioritarë.

“Votoni 44-n dhe votoni për zhvillimin e Cërrikut e Shqipërinë në Evropë!”

Top Channel