Thellohet kriza e kredisë

31/05/2013 00:00

Tregu financiar ka hyrë në ngërç të plotë. Të dhënat e fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin prill, rritja vjetore e kredisë për sektorin privat ra gati në zero.

Shifrat tregojnë se kjo është hera e parë që rritja e kredisë për biznesin dhe individët bie në zero që nga viti 2002, kur Banka e Shqipërisë nisi të publikonte të dhënat e detajuara të kredive. Ngërçi i kredisë po thellon më shumë pasojat e krizës ekonomike.

Vitin e kaluar, ngadalësimi i fortë i kredisë ishte shkaku kryesor që e përgjysmoi rritjen ekonomike nga 3 në 1.6 për qind. Gjasat janë që këtë vit presioni i kredisë mbi ngadalësimin e mëtejshëm të rritjes ekonomike të jetë edhe më i fortë.

Vetëm një ditë më parë, këshilli mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë paralajëmroi zyrtarisht se kriza e kredisë do të vazhdojë edhe në periudhë afatmesme.

Arsyet e rënies së kredisë

Bregasi: Qeveria ka faj për klimën e mosbesimit bankë-sipërmarrës

Biznesi thotë se ka një sërë arsyesh pse kredia për sipërmarrjen po bie me ritme të shpejta. Sipas presidentit të Biznes Albania, Luan Bregasi, edhe qeveria ka pjesën e saj të fajit për klimën e mosbesimit që është krijuar mes bankave dhe sipërmarrësve.

“Kreditë e veta qeveria i shlyen në banka. Ndërsa biznesin nuk e paguan duke na vënë në vështirësi me bankat”, deklaron Bregasi.

Por çfarë pasojash ka tkurrja e financimeve për sektorin privat? Zoti Bregasi thotë se kjo mund ta çojë ekonominë në zonë negative.

Bllokimi i kredisë për sektorin privat i zhvlerëson të gjitha përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të stimuluar ekonominë.

Ulja e normës bazë të interesit ka funksionuar vetëm në një krah, tek kreditë që merr qeveria, ndërsa në sektorin privat, mekanizmi që transmeton politikën monetare ka dalë jashtë loje.

Top Channel