Riaktivizohet amnistia fiskale

30/05/2013 00:00

Me propozim të deputetit demokrat të Korçës, Edmond Spaho, Parlamenti ka riaktivizuar ligjin për faljen fiskale.

Drafti, i miratuar në vitin 2011 kishte përfunduar fuqinë ligjore në 31 mars të vitit të kaluar.

Por, më votat e maxhorancës ligji ka rihyrë në fuqi dhe do të ketë afat deri  31 dhjetor të këtij viti.

Ligji parashikon faljen e borxheve që bizneset i kanë shtetit sipas disa tarifave të përcaktuara.

Për borxhet deri në vitin 2009, biznesi paguan vetëm 30 për qind të detyrimit dhe pjesa tjetër së bashku me gjobat falet.

Për ato të vitit 2010, paguhet 50 për qind e detyrimit. Ligji i jep mundësi sipërmarrësve të legalizojnë edhe asetet e paluajtshme duke paguar një tarifë 3% të diferencës së mes çmimit të deklaruar dhe çmimit real.

Për rivlerësimin e makineri pajisjeve që janë deklaruar me çmime më të ulta tarifa është 5%.

Për ata individë apo biznese që duan të legalizojnë kapitale të padeklaruara që burojnë nga evazioni apo rrugë të tjera shteti do të marrë 3 për qind të shumës.  

Ligji parashikon edhe faljen e një sërë detyrimesh të tjera, por ajo bëhet automatikisht nga administrata. Ligji për amnistinë fiskale ka qenë në fuqi, për më shumë se një vit në periduhën 2011-2012.

Por, ai dështoi, për shkak se biznesi nuk tregoi interes, veçanërisht në deklarimin e kapitaleve të fshehura.

Një nga arsyet në atë kohë u cilësua mungesa e sigurisë, pasi amnistia nuk arriti konsensusin politik për të ndryshuar kodin penal që fal veprën e evazionit.

Me votimin e sotëm, pasi sërish nuk u arrit konsensusi politik, qeveria riaktivizon të njëjtin ligj, që dështoi një vit më parë, çka zbeh që në fillim shpresat për një sukses të mundshëm të amnistisë, objektivi e së cilës këtë herë duket më shumë përfitimi elektoral se sa formalizimi real i ekonomisë.

Top Channel