Autoritetet mjekësore botërore janë vendosur në alarm nga mësimi i lajmit se gripi tepër i rrezikshëm i shpendëve, që i ka kushtuar jetën deri tani dhjetëra kinezëve gjatë 2013-s, ka fituar imunitet ndaj mjekimeve që përdoren për ta luftuar.
Një spital në Shangai, kryeqendra ekonomike e Kinës, informoi se midis 14 pacientëve të shtruar në spital për shkak të prekjes nga virusi “H7N9”, tre prej tyre nuk tregojnë më asnjë shenjë përmirësimi nga trajtimi me “Tamiflu”, ilaçi i vetëm i përdorur deri më tani kundër këtij virusi.
Sipas specialistëve, një zhvillim i tillë është tejet shqetësues, ndërsa redukton dukshëm shanset e të prekurve për mbijetesë.
Megjithatë, lajmi i mirë është se përfundimisht, duket se frika për një përhapje të virusit në një shkallë epidemike është shuar, pasi prej dy javësh nuk është regjistruar më asnjë rast i ri i prekur nga virusi i shpendëve.
”H7N9” është një variant i virusit të rrezikshëm “H5N1”, i njohur më mirë me emrin “SARS”, i cili i kushtoi jetën rreth 600 kinezëve pasi u përhap në fillim të viteve 2000.
”H7N9” ka pasur 131 raste të konfirmuara deri tani dhe 36 prej të prekurve nga virusi kanë ndërruar jetë.
Top Channel