Amnistia “misterioze” e Berishës

27/05/2013 00:00

Ndërsa Kryeministri Sali Berisha i kërkon opozitës votimin e ligjit për
amnistinë fiskale, bizneset thonë se nuk kanë asnjë dijeni lidhur me
draftin, që do të paraqitet për votim në seancën e jashtëzakonshme
parlamentare të ditës së enjte.

“Ne si Dhomë Tregtie nuk kemi marrë asnjë përgjigje deri më tani për kërkesat që kemi bërë, sepse kërkesat tona shkojnë një kopje në selinë e Partisë Socialiste dhe një kopje në selinë e Kryeministrisë dhe deri më sot nuk kemi marrë asnjë lloj reagimi apo ndonjë propozim konkret për të parë se çfarë do kalojë Qeveria apo se çfarë refuzon opozita”, tha Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Në kërkesën e paraqitur, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kërkon imunitet për deklarimet vullnetare të bizneseve. Mungesa e garancisë ligjore për periudhën e amnistisë, sipas kryetarit Nikolin Jaka është arsyeja për të cilën ligji i 2011-ës, për të cilin biznesi nuk shfaqi interes, rezultoi i dështuar.

“Nëse pas vetëdeklarimit kontrolli i Inspektoriatit të Sistemit Tatimor të gjente një shkelje që mund të jenë qoftë edhe nga padijenia, mund të jenë shkelje, të cilat nuk përbëjnë ndonjë akt të rëndë, por ligji nuk ta falte dhe të quante gjithë pjesën e deklarimit, këtë e deklaronte si të pavlefshme dhe ti do të paguaje vetëm për pjesën e deklaruar. Për efekt të këtij ligji ne kërkojmë që të gjitha kontrollet e ushtruara deri në fund të 2012, të kryhen pa cënuar pjesën e vetëdeklarimeve, gjë e cila i jep një pasiguri të plotë cdo subjekti tatimor, cdo biznesmeni”, tha Jaka.

Për Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, miratimi të enjten i një ligji të ngjashëm me atë të 2011-ës, pa marrë parasysh kërkesat e biznesi do të ishte një dështim i dytë.

Top Channel