Rama: I japim zgjidhje legalizimeve

24/05/2013 00:00

Ai që socialistët e quajnë “Këndi Fjalës”, ku kryetari i Partisë
Socialiste, Edi Rama u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve, nga Tirana u
zhvendos në Durrës pasditen e së premtes.

Durrësi është rrethi i dytë, pas Tiranës, me numrin më të madhe të ndërtimeve pa leje, ndaj që në nisje të fjalës së tij, Rama ritheksoi zotimin e opozitës për të legalizuar të gjitha ndërtimet pa leje, jo vetëm në këtë rreth, por në gjithë Shqipërinë. Rama tha se atij që punon tokën do t’i jepet certifikata e pronësisë, ndërsa ai që ka ngritur një shtëpi do të pajiset me titullin e pronësisë së saj.

“Zotimi ynë është t’i japim fund pas 20 viteve procesit të legalizimit dhe për këtë arsye jam këtu për këtë bashkëbisedim. Kreu i Bashkisë së Durrësit është i angazhuar për legalizimet në qytet. Ne jemi të bindur se pa zgjidhur problemin e pronës nuk ka zhvillim. Janë tre elementë, i pari kthimi dhe kompensimi i pronave, i dyti certifikata e tokës për ata që punojnë tokën dhe e treta është problemi i dhjetra-mijëra familjeve që për të ndërtuar një jetë më të mirë kanë ndërtuar duke u spostuar nga zona të varfëra drejt qytetave, sidomos Tiranës dhe Durrësit dhe prej 20 vitesh jeni zvarritur nga politika dhe Saliu që sa herë afrohet fushata kujtohet për ju”, tha Rama.

Kreu i PS-së shtoi se në gjithë këto vite janë legalizuar vetëm 8 përqind e ndërtesave. Rama tha se ky problem social do të jetë parësor për Partinë Socialiste në pushtet. Rama ftoi qytetarët të votojnë PS-në më 23 qershor për t’i hapur rrugë legalizimit të shtëpive të tyre.

“Saliu në gjithë këto vite ka bërë vetëm 8 përqind të gjithë legalizimit, që do të thotë se me këtë ritëm duhet të prisni 165 vjet që të mbarojë i gjithë procesi. Për ne kjo është një cështje e madhe sociale, është cështje e madhe e këtij vendi në rrugën drejt zhvillimit. Pas 23 qershorit do nisim menjëherë procesin e legalizimit dhe ata që kanë ndërtuar një ndërtesë për shtëpi, do marrin titullin e pronësisë. Edhe për sa kohë do hani rrenat e Saliut për legalizimet? Si ka mundësi që nuk bëri asgjë në këto 8 vite? E gjeti me 250 mijë ndërtime pa leje dhe po e lë me 400 mijë ndërtime pa leje. Kush e do shtëpinë e vet, le të votojë me një kryq më 23 qershor Partinë Socialiste”, tha Rama.

Kreu i opozitës foli edhe për sistemin shëndetësor, duke ritheksuar edhe njëherë se sistemi i sigurimeve ka dështuar. Ai tha se do reformohet shëndetësia dhe shërbimi për të gjithë qytetarët do të jetë falas.

Duke u ndalur tek arsimi, Rama tha se do të reformohet procesi i rekrutimit të mësuesve për të hequr emërimet partiake. Kreu i PS-së theksoi se në emërimin e mësuesve një rol të madh do të luajë komuniteti i prindërve, që do të propozojë emrat dhe më pas do të japë edhe pëlqimin për ta.

Rama: Brenda 4 viteve tapitë e tokave

Ditën e parë të nisjes së fushatës elektorale zyrtarisht, kryesocialisti Edi Rama e nisi me një bashkëbisedim me fermerët e komunës Rrashbull në Durrës, ku prezantoi kandidatët për deputetë Ilir Beqja dhe Shkëlqim Troplini.

“Kemi vendosur t’i mbajmë sytë nga fshati. Pas 22 vjetësh braktisje të fshatit, ne do ia shtrijmë dorën fshatit dhe ta mbështesim me gjithë fuqinë tonë. Do ta heqim akcizën e naftës, do të heqim taksën e qarkullimit të naftës dhe nafta për çdo aktivitet prodhues do të ketë nje tjetër çmim. Do të investojmë 160 milionë dollarë për ujin në parcelë. Do ta heqim taksën 20 për qind për plehrat kimike.Do ta heqim taksën 20 për qind për makineritë”, tha Rama.

Banorët e kësaj komune kërkuan të dijnë nga Edi Rama se kur do të marrin tapitë e tokave.

“Këta demokratë e republikanë kanë 20 vjet duke marrë votat e pronarëve dhe duke thënë ‘ne jemi ata që zgjidhim çështjen e pronës’. Në mandatin tonë që do të marrim nga vota e 23 qershorit do të zgjidhim cështjen e pronës. Brenda katër viteve do të japim certifikatën e tokës për të gjithë ata që kanë 20 vjet që rropaten me një copë tokë dhe mirë që rropaten, por nuk e kanë ende tokën e tyre. Me Saliun nuk ka legalizime, i duheni kështu siç jeni pa legalizime, të lidhur pas karrocës së tij”, tha Rama.

“Ata që kanë dalë pronarë të qindra hektarëve tokë në bregdet ndërkohë që gjyshërit e tyre kanë parë malin e jo detin, ata do të kthehen mbrapsht duke ia kthyer pronarëve, që e provojnë pronën e tyre me dokumenta historike dhe jo dëshmi false”, premtoi Rama. 

Top Channel