Biznesi nuk shlyen kreditë

24/05/2013 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se kredia e biznesit po përkeqësohet me ritme dy herë më të shpejta se ajo e individëve.

Sipas Ministrisë së Financave, vetëm për 9 muajt e parë të vitit të kaluar, kreditë e pashlyera të biznesit u rritën me 5.2 pikë përqindje, nga 2.6 për qind që u rritën ato të individëve.

Shifrat tregojnë se bizneset janë më problematikët për bankat. Në shtator, kredia e keqe e biznesit arriti sa 26 për qind e totalit, ose gati 10 pikë përqindje më shumë nga ajo e individëve. E shprehur në vlerë diferenca është shumë më e madhe, për shkak se shuma e kredisë së marrë nga sipërmarrjet është deri në tre herë më e lartë nga ajo e familjeve.

Shifrat e Ministrisë së Financave dëshmojnë se kredia e biznesit është përkeqësuar me ritme të shpejta veçanërisht në dy vitet e fundit. Në fund të vitit 2010 kredia me probleme e biznesit ishte 15.5 për qind. Në më pak se dy vjet ajo u rrit me 10.5 pikë përqindje, që e shprehur në vlerë është përafërsisht mbi rreth 500 milionë dollarë. Që pas 2010-ës biznesi është përballur më kohë të vështira.

Vitin e kaluar për shkak të rënies së konsumit, fitimet e kompanive në tërësi, sipas të dhënave të buxhetit, ranë me rreth 15 për qind. Por ky nuk është shkaku i vetëm që ka përkeqësuar gjendjen e tyre financiare.
Paraleisht me rënien e shitjeve, shumë ndërmarrje, veçanërisht ato që kryejnë punë publike janë përballur me vonesa në arkëtimin e parave nga Qeveria. Vetë shoqatat e biznesit pretendojnë se borxhi që u ka Qeveria në formën e punëve të papaguara por edhe TVSH-së së pashlyer arrin në mbi 200 milionë euro. Së bashku me rënien e shitjeve, kjo e ka vënë biznesin në vështirësi për të shlyer detyrimet ndaj bankave, një cikël negative, për të cilin FMN dhe Banka Botërore i kanë kërkuar me force Qeverisë ta ndërpresë duke filluar shlyerjet e detyrimeve ndaj sipërmarrjes.   

Top Channel