Kukës, biznesi i vogël refuzon taksat

23/05/2013 00:00

Një nga bastionet kryesore të Partisë Demokratike, pikërisht Kukësi,
duket se po lëkundet në prag të këtyre zgjedhjeve, duke u joshur nga
oferta e Partisë Socialiste për taksën progresive.

Kjo vihet re në numrin e ulët të taksave që po arkëtohen nga bashkia e Kukësit, ku sipas disa tregtarëve të vegjël, pritet që ato të paguhen pas ndryshimit të qeverisë, me shpresën se do të taksohen më pak se me qeverinë Berisha.

Reagimi i bashkisë

Alarmi jepet nga vetë drejtuesit e Bashkisë së Kukësit, të cilët kanë deklaruar për mediat se situata parazgjedhore po ndikon negativisht në mbledhjen e taksave dhe tarifave vendore. Sipas tyre, fenomeni prek, jo vetëm subjektet private, por edhe ato shtetërore, të cilat kanë krijuar një debi prej 12 milionë lekësh në arkën e bashkisë. Përfaqësuesit e bashkisë, shohin si zgjidhje rrugën gjyqësore apo dhe ndërhyrjen në thesar për këtë fenomen. Pajtim Duraku, drejtori i të ardhurave në bashki, nuk përjashton as bllokimin e aktivitetit për bizneset që nuk shlyejnë taksat. “Në vlerë financiare realizimi 4-mujor është 22 milionë e 857 mijë e 710 lekë nga një plan prej 34 milionë e 367 mijë lekë. Vërejmë një rënie në këtë periudhë të numrit të taksapaguesve që vazhdojnë të vijnë për të shlyer detyrimet. Bëjmë thirrje që të vazhdojnë pagesat, të hyjnë në rrugët normale, pasi ne do të vazhdojmë me procedurat që kemi ndjekur herë pas here nëpërmjet zyrës juridike, duke iu drejtuar gjykatës dhe instancave të tjera, deri në përmbarim”, thotë Pajtim Duraku, drejtor i të ardhurave në bashki, ben te ditur gazeta “Shqip”. Edhe gjatë vitit 2012 është regjistruar një bilanc negativ në mbledhjen e të ardhurave dhe për këtë kanë ndikuar edhe heqja e taksave për lejet e ndërtimit dhe ajo e ALUIZNI-t, por sivjet duket se ky fenomen po ndikohet kryesisht nga zgjedhjet. Në të gjithë qarkun, nga 1100 biznese private të regjistruara në tatim-taksa, vetëm 270 prej tyre janë biznes i madh.

Biznesi i vogël

Por, sipas disa tregtarëve të vegjël në Kukës, kjo vjen edhe për shkak të joshjes së bërë nga Partia Socialiste, e cila ka premtuar se do të fusë në fuqi taksën progresive, që sipas përllogaritjeve ndikon drejtpërdrejt në uljen e detyrimeve ndaj shtetit të biznesit të vogël. Biznesi i vogël, ku në Kukës numërohen 830 subjekte të regjistruara, tri herë më shumë se subjekte të biznesit të madh, ka shpresë se me ardhjen në pushtet të PS-së, ata do të kenë përfitime më të larta. Në këto kushte, ata kanë zgjedhur të mos paguajnë taksat, por edhe të heshtin nga frika e masave drastike që mund të marrë pushteti vendor ndaj tyre.

PS: Tri mandate

Duke parë situatën dhe duke përllogaritur forcat në terren, socialistët e Kukësit shpresojnë të marrin tri mandate deputetësh në këtë qark, i cili prej vitesh ka qenë një bastion i padiskutueshëm i Partisë Demokratike. Këtë pritshmëri, socialistët e bazojnë në qeverisjen e dobët të mazhorancës aktuale, dështimin e saj në drejtim të përmirësimit të kushteve të jetesës për banorët e Qarkut të Kukësit si dhe politikën aspak të qëndrueshme në drejtim të ndërhyrjes në arsim, shëndetësi, bujqësi e infrastrukturë. Kreu i Partisë Socialiste në këtë qark, Skënder Ahmeti, është shprehur se po punohet fort për marrjen e tri mandateve. Partia Socialiste në Kukës në këto zgjedhje garon me katër kandidatë, ku listën e kryeson Vexhi Muçmata, pas të cilit vjen Lavdrim Elezi, Ram Hoxha dhe Adem Lama. Në programin “Për një Rilindje shqiptare”, socialistët kanë vendosur si prioritet rimëkëmbjen e ekonomisë, shoqërisë, rivendosjen e demokracisë dhe ribashkimin me Europën. Red. Rre.

 
Kukës, Fushata, nis rehabilitimi i rrugëve dhe rrugicave

Për të ruajtur besimin e elektoratit gjatë kësaj fushate, Partia Demokratike ka filluar të kryejë disa punime në rrugët e Kukësit. Në këto ditë po ndërhyhet në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, edhe aty ku ndërtimi i ujësjellësit të ri kishte shkatërruar gjithçka. Në disa prej rrugëve po ndërhyhet përmes asfaltimit të tyre, ndërkohë që në disa të tjera ato po shtrohen me pllaka. Ama ka edhe disa që janë vështirësish të kalueshme, në të cilat nuk dihet ende se kur e si do të ndërhyhet. E megjithatë, për qytetarët kuksianë, e rëndësishme është që infrastruktura rrugore të përmirësohet, çka do të ndikojë në evitimin e ndotjes së mjedisit, përmes pluhurit që ngrihet në atmosferë, apo edhe mosdëmtimin e automjeteve që përshkojnë këto rrugë çdo ditë. Infrastruktura rrugore shpeshherë është bërë objekt diskutimi dhe debatesh edhe në këshillin bashkiak, ndërkohë që bashkia vazhdon të nisë projekte drejt dikastereve qendrore për të gjetur fondet e duhura për ndërhyrje. Megjithatë, deri për fushatë kishte hasur në shumë pengesa. Aktualisht, bashkia po punon në pjesë të veçanta të qytetit, nëpërmjet disa projekteve, të cilat kanë nisur prej kohësh, por që ende nuk kanë përfunduar për arsye financiare, pasi janë akorduar fondet vetëm për pjesën e parë të zbatimit të projekteve.

Top Channel