Kina, zhvatje elektronike SHBA-ve

23/05/2013 00:00

Vjedhja e pronës intelektuale, IP, në Shtetet e Bashkuara është e
papreçedentë dhe po i shkakton vendit një dëm prej 300 miliardë
dollarësh në vit.

Kështu thotë një raport zyrtar i hartuar nga funksionarë të lartë amerikanë, i cili akuzon Kinën se fshihet pas 50 deri në 80 për qind të vjedhjeve.

Raporti thekson se duhen masa të forta që ta bëjnë vjedhjen e IP-ve të paleverdisshme, mes të cilave sanksione bankare dhe frenim të importit ose investimeve për kompanitë që nuk ruajnë dot të drejtat e IP-ve.

Raporti u hartua nga Dennis Blair, ish-drejtor i inteligjencës kombëtare në administratën Obama dhe John Huntsman, ish-ambasador në Kinë dhe kandidat për president.

Publikimi i tij bëhet pak javë përpara mbajtjes së samitit SHBA-Kinë, në nivel presidentësh, i parashikuar për më 7 dhe 8 qershor, ku spiunazhi elektronik do të jetë temë e bisedimeve.

Më herët gjatë muajit, Pentagoni akuzoi për herë të parë qeverinë dhe ushtrinë kineze se sulmojnë kompjuterët e Shteteve të Bashkuara, si pjesë e spiunazhit kibernetik që ka si synim mbledhjen e informacioneve mbi sektorët e diplomacisë, ekonomisë dhe mbrojtjes.

Nga ana e saj, Kina e ka cilësuar raportin si “të pabazë”, duke deklaruar se ai tregon mosbesimin e Shteteve të Bashkuara.

Raporti, i publikuar të mërkurën nga një komision i posaçëm, thotë se vjedhja e IP-ve i kushton Amerikës vende pune dhe cënim të inovacionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA