Shqipëria fton Maqedoninë

22/05/2013 00:00

Në forumin e Biznesit dhe Investimeve Shqipëri-Maqedoni, Qeveria
shqiptare ka kërkuar rritjen e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.

Sipas drejtoreshës ekzekutive të Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit dhe Investimeve, Eneida Guria ulja e shkëmbimeve tregtare me Greqinë, për shkak të krizës po krijon hapësira që mund të shfrytëzohen nga bizneset maqedonase.

“Në shifra totale, ne përsëri jemi të lidhur tradicionalisht me fqinjët tanë, sic është Italia dhe Greqia, e cila së fundmi po lë hapësirë boshe në shkëmbimet tregtare dhe për këtë arsye ka mundësi që bizneset e dy vendeve tona të kontribuojnë në rritjen e volumeve të shkëmbimeve tregtare mes nesh”, thotë Guria.

“Në vitin 2012 volumi tregtar me Maqedoninë arriti në 90 milionë euro dhe shënoi një rritje mesatare prej 17 për qind krahasuar me vitin 2007. Realisht rritja e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona ka qenë e vazhdueshme, por besoj se duhet të vazhdojmë të punojmë akoma për të intensifikuar bashkëpunimin për të patur rritje edhe më të larta se sa kjo”, thotë Pranvera Kastrati, drejtoreshë e Politikave të Integrimit Tregtar në METE.

Duke u ndalur tek turizmi, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit dhe Investimeve ftoi bizneset maqedonase të shohin mundësinë e investimit si biznese pritëse.

“Duke patur parasysh shifrat në rritje të vizitorëve në Shqipëri shohim dhe një nevojë në rritje të ofrimit të shërbimeve në atë nivel që do të duhet të ofrohej dhe për këtë arsye sektori i turizmit ofron mundësi për të investuar qoftë në infrastrukturë pritëse apo edhe në shërbimet që i duhen ofruar vizitorëve në vendin tonë”, thotë Guria.

Prej dy ditësh në Tiranë zhvillohen forume të bizneseve me vendet e rajonit me qëllim thellimin e bashkëpunimit në biznes dhe investime.

Top Channel