Berisha: Fshati pagoi faturën e bllokimit

22/05/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se fermerët janë shtresa që ka paguar
kostot më të mëdha nga bllokimi, që sipas tij opozita i bëri statusit
kandidat.

“Përfituesit absolutë nga paratë e Komisionit Europian direkt do të ishin fermerët shqiptarë. Sigurisht një pjesë e fondeve të tjera do jepej për rrugë, shkolla, kanalizime.Të rinjtë do fitonin se do të shkonin në Universitete me pagesa shumë të ulëta, emigrantëve tanë do u njiheshin vitet e pensionit”, tha Berisha.

Gjatë një takimi me fermerë të Elbasanit, Kryeministri tha se në mungesë të këtyre fondeve Qeveria është përpjekur t’i financojë fermerët përmes buxhetit.

“4 vitet që vijnë, ju jap ju fjalën se ne nga 57 milionë dollarë që kemi dhënë subvencione deri më tani do të kalojmë në 156 milionë dollarë”, tha Berisha.

Veç granteve zoti Berisha përmendi se Qeveria ka marrë së fundmi një sërë vendimesh që zgjerojnë mbështetjen për bujqësinë.
 
“Për të ulur koston e prodhimit, ne do t’ju rimbursojmë. Do t’ju japim para në dorë. Taksën e Vlerës së Shtuar, 20 për qindëshin, për cdo gjë që ju përdorni në fermat tuaja bujqësore, blegtorale ne do t’ju rimbursojmë akcizën. Ne do t’ju rimbursojmë shpenzimet tuaja për serat”, tha Berisha.

Në fund kreu i Qeverisë ndau me fermerët e Elbasanit edhe një pasion të fshehur.

“Unë me profesion jam kardiolog e kam dashur shumë punën time. Po të mos isha në politikë do të isha kardiolog, por po të mos isha kardiolog do të isha fermer, sepse e kam dashur shumë këtë punë”, tha Berisha.

Top Channel