Pas mbylljes së Konventës kombëtare për programin e Partisë Socialiste, Edi Rama i është rikthyer bashkëbisedimit me qytetarët e Tiranës, duke u dhënë atyre sigurinë e fitores më 23 qershor, pavarësisht asaj që e quan përpjekje të qeverisë për vjedhjen e votës.

“Në 23 qershor mos mbaj mendjen te 8 maji, por kujtoje 8 majin vetëm për një gjë: nëse fituam me 10 vota, dhe ato 10 vota na i vodhën, këtë herë do të fitojmë me 50 mijë vota në Tiranë, dhe do të na e marrin të keqen”, tha Rama.

Lejtmotivi i zotit Rama, gjatë bashkëbisedimit me banorë të Kombinatit, ishte ajo që e quan keqqeverisje të kryeministrit Berisha, i cili, sipas Edi Ramës, i mashtron shqiptarët me premtime sa herë ndodhet në fushatë elektorale.

Dhe shembulli që ai dha, lidhej me premtimin e kryeministrit në vitin 2005, për përgjysmimin e taksave të biznesit të vogël.

“Me Saliun u nisët për përgjysmim dhe e hëngrët trefish. Kështu ndodh me të gjitha premtimet e tij. Madje, me Saliun duhet pasur kujdes, kur të premton diçka. Dhe, më e mira që mund të ndodhë, është që të mos premtojë, se aty ku të premton, aty dije se do ta hash më keq se ç’je”, shtoi Rama.

Sipas zotit Rama, zgjidhja e vetme, që shqiptarët kanë më 23 qershor, është vota për programin e Rilindjes ku, siç tha ai, gjejnë zgjidhje edhe tre problemet që ngriti një qytetare, mungesën e ujit të pijshëm, infrastruktura dhe legalizimet.

“Dmth s’ke ujë, s’ke xhade, s’ke legalizime. Po çfarë ke? Ke saliun. Na rroftë Saliu! E për çfarë na duhet? E keni parë që del çdo ditë në rrugë? Një kryeministër që mbeti rrugëve. Kishte dalë pardje, kishte shtruar një rrugë, që ishte më e ngushtë se shpatullat e Saliut, me gjithë antiplumb. Edhe thoshte ‘ne po bëjmë rrugë’. I thua nuk kam ujë, rrugë thotë! I thua nuk kam legalizim, rrugë! Ore nuk blej dot ilaçet. Rrugë! Ore po kam djalin pa punë. Rrugë! More, si t’ia bëjmë, s’kemi bukë. Rrugë! Ka dalë dhe kjo e vizave amerikane, do të heqë edhe vizat me Amerikën. Do të heqë vizat me Amerikën, që të ikin të gjithë në Amerikë. E dini pse e thotë këtë? E thotë vetëm se ëndërron, aman sikur të iknin të gjithë dhe të ngelem unë me rrugët e mia këtu”, tha më tej Rama.

“Kryeministër, i biri i botës, ngeli rrugëve dhe vetëm gënjen. Dil në rrugë e rrej. Kush ta hajë, ta hajë thotë, se kështu u pa kjo punë. Edhe i di shqiptarët për budallenj. I ka ecur në fakt, me thënë të drejtën. Se ka njerëz, që akoma e besojnë.  Dhe thotë se, kushedi po më ecën edhe këtë radhë. Po këtë radhe nuk ka ç’i ecën fare, sepse këtë radhë, të rrijë mëngjes-drekë-darkë duke vjedhur vota, ne do të marrim aq shumë vota, sa ai nuk e hedh dot më lumin”, përfundoi Rama.

Top Channel