Dita e hënë, 20 maj, shënoi ditën e parë të zbatimit të ligjit “Për
taksat kombëtare”, tashmë të ndryshuara, në disa nene të tij. Sipas
variantit të ri, taksa vjetore e mjeteve të transportit vlen 50 për qind
më pak.

Formula e llogaritjes është po e njëjta, por ka ndryshuar tarifa e karburantit, e cila është përgjysmuar: nafta nga 25 lekë bëhet 12.5 lekë, kurse benzina nga 20 bëhet 10 lekë, pra janë përgjysmuar. Kushdo që ka një detyrim për të paguar, mjafton ta përgjysmojë, kurse llogaritjet janë të thjeshta dhe realizohen në sportelet e drejtorive rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor.

Kjo drejtori sqaron se ligji i jep mundësi të përfitojnë nga përgjysmimi i taksës edhe ata individë që nuk i kanë paguar detyrimet për periudhën 2011 dhe më pas. Këtyre u falen edhe penalitetet, por me kushtin që taksat (tashmë të përgjysmuara) t’i paguajnë deri më 30 qershor, në të kundërtën nuk do të jenë pjesë e amnistisë.

Efekti në buxhet nga ulja e taksës natyrshëm që do të jetë negativ dhe vlerësohet në rreth 2.5 miliardë lekë. Ndryshim tjetër në ligjin për taksat e mjeteve të transportit lidhet me periudhën e vlefshmërisë, e cila nuk do të jetë me vit kalendarik, por në bazë të ditëve.

Ditën e djeshme, ben te ditur “Shqip” u regjistruan radhë të gjata, ku në drejtorinë e Tiranës ishin të paktën mbi 700 mjete transporti, të cilët u regjistruan për të paguar taksën vjetore. Sistemi i ri i vlerësimit të taksës së mjetit hyri në fuqi në shtator 2011 dhe rëndonte më së shumti mjetet e makinat e vjetra. Modeli i miratuar rreth dy vjet më parë hoqi taksën e importit dhe la vetëm detyrimin vjetor, duke e unifikuar në një taksë të vetme, pas shkrirjes së taksës së qarkullimit vjetor dhe lejes së qarkullimit.

Top Channel