Vijon shkatërrimi i monumenteve të kulturës në fshatin turistik të Voskopojës.

Pas shumë kishave, të cilat janë rrënuar tashmë, edhe një prej urave më të vjetra, ajo e Shën Prodhomit, është shembur në një pjesë të sajën, ndërkohë që është një monument kulture i kategorisë së parë.

Shkak për shembjen duket se është pikërisht shfrytëzimi i kësaj ure për kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë, ndërsa ura 300-vjeçare tashmë rrezikon shembjen e saj të plotë.

Alarmi është dhënë nga drejtuesit e Monumenteve të Kulturës, në Korçë, të cilët kanë kërkuar marrjen e masave urgjente për bllokimin e saj, pasi ura rrezikon të shembet.

Ura me harqe është shpallur monument kulture për specifikat e saj dhe kohën e hershme kur ajo është ndërtuar, ndërsa vlerësohet e rrallë për sa i përket anës arkitektonike.

Top Channel