Interesat e bonove në minimum historik

18/05/2013 00:00

Interesat e bonove të thesarit kanë cekur një tjetër minimum historik.
Në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë, bonot njëvjeçare, letra me
vlerë përmes të cilave Qeveria merr borxh në tregun e brendshëm, u
tregtuan me interes 5.9 për qind.

Ky është niveli më i ulët i të gjitha kohërave. Interesat kanë rënë për të gjitha afatet e maturimit, përfshirë dhe borxhin afatgjatë, i cili merret përmes obligacioneve.

Qeveria shqiptare ka rreth 460 miliardë lekë borxh në tregun e brendshëm, pjesa më e madhe e të cilit është në bono njëvjecare. Ulja e interesave në këto nivele, sipas ekspertëve në ministrinë e financave mund t’i kursejë buxhetit këtë vit rreth 50 milionë euro.

Por ndonëse në dukje një lajm i mirë për financat e shtetit, ulja e interesave për borxhin e qeverisë, është në fakt simptomë e krizës ku është zhytur sektori privat. Depozitat në sistemin bankar janë në nivelet më të larta historike. Por edhe me këtë likuditet të bollshëm bankat nuk kreditojnë privatët. Kjo edhe për mungesë kërkesë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, rritja vjetore e kredisë për sektorin privat ra në minimumin historik 0.7 për qind, ndërsa në dy muajt e parë të vitit ajo madje ka hyrë për herë të parë në territor negativ. Në këto kushte Qeveria është shndërruar në klientin e vetëm ku bankat investojnë fondet e tyre, cka po dikton dhe uljen e shpejtë të interesave. 

Top Channel