Qeveria anashkalon Parlamentin

17/05/2013 00:00

Qeveria ka vendosur të anashkalojë Parlamentin në koncesionin e
shumëpërfolur për markimin e karburanteve.

Kontrata që i jep monopolin e
këtij shërbimi një kompanie private nga Austria, ka hyrë në fuqi
thjesht me vendim të Qeverisë, edhe pse më parë ishte deklaruar se do të
kalonte në Kuvend.

Në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare thuhet: “Këshilli i Ministrave vendosi miratimin e kontratës së koncesionit për shërbimin e markimit dhe monitorimit të karburanteve, të lidhur ndërmjet Ministrisë së Financave të Republikës së Shqipërisë dhe bashkimit të përkohshëm të shoqërive “Global Fluids International” S.A. dhe “Petroleum Consulting Partners” A.G. Ndërsa në pikën 3 qartësohet se kontrata hyn në fuqi menjehërë pas botimit të këtij vendimi në Fletoren Zyrtare.

Kjo është hera e parë kur Qeveria transferon një monopol me vlerë 150 milionë euro për 10 vitet e ardhshme, duke përjashtuar parlamentin nga procedura e miratimit. Disa ekspertë ngrenë pikëpyetje mbi ligjshmërinë e procedurës. Që në fillim, koncesioni i markimit të karburanteve është kundërshtuar ashpër. Fillimisht nga Shoqata e Hidrokarbureve, por më vonë edhe nga opozita, si një aferë e dyshimtë. Skandali i çështjes u thellua kur Qeveria mashtroi Autoritetin e Konkurrencës. Ky i fundit, pas ankesës së tregtarëve të karburanteve nisi hetimin e çështjes, por sapo kërkoi informacion, Ministria e Financave ju përgjigj se kontrata është pezulluar.

Dy ditë më vonë Këshilli i Ministrave miratoi vendimin, i cili pritet të rrisë sërish çmimin e karburanteve për qytetarët për shkak të tarifës që do të marrë monopolisti rreth 6.5 euro për ton ose 10 lekë për litër. 

Top Channel