CEZ nis gjyqin me Shqipërinë

16/05/2013 00:00

Grupi çek CEZ ka nisur zyrtarisht procedurat ligjore ndaj Qeverisë
shqiptare në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit.Përmes një njoftimi
zyrtar CEZ bën të ditur se ka njoftuar Qeverinë mbi vendimin e saj, ku
kërkon kompensim për dëmin që i është shkaktuar nga mosmbrojtja e
investimit në rrjetin shqiptar të shpërndarjes së energjisë.

CEZ thotë se baza ligjore e padisë është traktati ndërkombëtar i energjisë, i firmosur si nga Çekia ashtu dhe nga Shqipëria. Traktati i negociuar në vitin 1995 përcakton rregullat ndërkombëtare për mbrojtjen e investimeve në sektorin energjetik. Njoftimi qe i eshte derguar Qeverisë shqiptare nga kompania CEZ, sipas saj, nënkupton nisjen zyrtare të procesit ligjor në arbitrazh.

Megjithatë kompania ceke sqaron se nisja zyrtare e procesit nuk parandalon që të dy palët mund të arrijnë një marrëveshje pajtuese jashtë gjyqit. Në shkurt të këtij viti CEZ njoftoi zyrtarisht Qeverinë shqiptare se kishte në plan ta padiste atë në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit pas vendimit të ERE-s, që i hoqi licencën mbi rrjetin e shqiptar të shpërndarjes.

Pas mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të gjata mes palëve, në 21 janar Enti Rregullator vendosi të heqë licencën e CEZ me argumentin se kompania nuk po përmbushte kushtet e marrëveshjes së privatizimit, duke e rikthyer atë sërish në administrim shtetëror. “Administratori i ri, – thotë CEZ,- mori të gjitha të drejtat për menaxhimin e kompanisë dhe mbi këto baza grupi çek duket se do të kërkojë kompensimin e investimit të saj nga Qeveria shqiptare”.     

Top Channel