Nën moton “Nise udhëtimin tënd nga Shqipëria jote”, Agjencia Kombëtare e Turizmit ka nisur promovimin e vlerave dhe bukurive të papërsëritshme të kanioneve 3 milionë vjeçare të Osumit, në Berat.

Pjesë e kësaj nisme, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Rafting-ut, ishte një udhëtim promovues i 8 ujëvarave 150 metra të larta, një vepër arti e natyrës, të cilësuara si Kolorado shqiptare.

Kanioni i Osumit nuk është shfrytëzuar për qëllime turistike deri në vitet ’90. Por, gjatë 5 viteve të fundit, numri i vizitorëve shqiptarë e të huaj, dashamirës të sportit të rafting-ut, është rritur ndjeshëm.

Për Federatën Shqiptare të Rafting-ut, krahas aventurës, ajo çka synohet është siguria. Për këtë arsye, të gjitha grupet e turistëve drejtohen e shoqërohen nga një guidë profesionale.

Gjatë vitit të kaluar, gjatë muajve mars-tetor, numri i turistëve që kanë provuar eksperiencën e këtij sporti, në kanionet e Osumit, ka qenë rreth 2 mijë vetë. Lundrimi zgjat nga 2 deri në 4 orë, ndërsa kohëzgjatja varet nga niveli i ujit. Periudha që sugjerohet, për të vozitur në kanionin e Osumit, është shkurt-qershor.

Për të dhënë mesazhin se Shqipëria është vend turistik përgjatë gjithë vitit, udhëtimi promovues ka vazhduar me kalanë e Beratit, një nga kalatë më të vjetra në Shqipëri, e mbrojtur nga UNESCO.

Top Channel