Bashkia e Vlorës zyrtarizoi çeljen e sezonit turistik. Qytetari i parë
Shpëtim Gjika u shpreh se dyert e këtij qyteti mbeten të hapura për të
gjithë turistët, vendas e të huaj.

“Struktura turistike dhe infrastruktura në shërbim të këtij sektori janë plotësuar dhe përmirësuar, rrjedhojë e përpjekjeve të operatorëve turistikë të mbështetur fuqimisht nga Bashkia. Në kushtet i indiferencës totale të qeverisjes qendrore, në kushtet e mungesës së investimeve prej saj, ne kemi ditur ta anashkalojmë atë”, tha Gjika.

Ky aktivitet ka shërbyer edhe për prezantimin e kryesocialistit Edi Rama si kandidat për deputet në këtë qark. Rama përpara vlonjatëve akuzoi Qeverinë se e ka izoluar ‘kryeqytetin e Pavarësisë’ dhe ka penguar zhvillimin.

“Vlora në këto vite ka ndryshuar shumë, por të gjithë e dinë se do kishte ndryshuar shumë herë më tepër nëse në Tiranë do kishte pasur një Qeveri që ta shihte Vlorën me sytë e zemrës. Fatkeqësisht në Tiranë, Vlora nuk e ka patur një Qeveri të tillë, përkundrazi ka patur një Qeveri që për vite me radhë e ka lënë Vlorën të izoluar nga pjesa tjetër e Shqipërisë”, tha Rama.
 
“PS-ja do ta nisë nga Vlora rrugën drejt rilindjes shqiptare”, theksoi Rama. Kyetari i PS premtoi se pas 23 qershorit Vlora do fillojë të vrapojë drejt realizimit të ëndrrave dhe shpresave që deri më sot i janë bërë të pamundura. Sipas Edi Ramës asgjë nuk është e pamundur tani që jemi bashkë.

“Pas 23 qershorit, Vlora do të ketë në Tiranë Qeverinë që i duhet për të qenë në lartësinë e ëndrrave e gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë, për Vlorën e Qemalit, të qytetarëve evropianë. Ne do ta heqim izolimin nga Vlora. Ne kemi prioritetin tonë të parë që Tirana dhe Vlora, Vlora dhe gjithë Shqipëria të lidhen me rrugën që meriton ky qytet, kryeqyteti i Pavarësisë, qyteti nga nisi historia e shtetit shqiptar, qyteti ku u projektua ëndrra e parë e madhe e shqiptarëve për shtetin e tyre. Ne do të bëjmë me shpejtësi një plan zhvillimi urban për Vlorën”, tha Rama.

Në përfundim të aktivitetit Rama ka përshkuar në këmbë bulevardin Vlorë -Skelë duke u takuar dhe përshëndetur banorë të Vlorës. Në hyrje të Skelës aty ku nis edhe rruga e re pedonale e sapopërfunduar nga Bashkia e Vlorës, Rama i është bashkuar me qytetarëve vlonjate dhe grupet popullore të ardhura nga gjithë vendet e rajonit, si pjesëmarrës në ‘Aulona Inter Folk Festival’.

Top Channel