Meta: Duhet qeveri e përgjegjshme

11/05/2013 19:50

Nga Pogradeci LSI prezantoi kandidatët për deputet në qarkun e Korçës. Ilir Meta, duke analizuar situatën në vend, u shpreh se sot Shqiperia është në një “udhëkryq”, sepse po përjeton një “ngërç” politik, ekonomik, institucional dhe shoqëror.

Prej kohësh klasa politike shqiptare, nënvizoi Meta, është futur në një spirale “konfliktualiteti” dhe vendi po vuan mungesën e bashkëpunimit mes palëve për të ndërmarrë reformat e nevojshme për zhvillimin e vendt.

“Shqiptarët janë lodhur nga retorikat politike që mbajnë ndezur debate shtërpe dhe që nuk ofrojnë asnjë zgjidhje për hallet dhe shqetësimet e përditshme të qytetarëve, duke lënë kështu në baltë axhendën e punësimit, zhvillimit dhe të integrimit europian. Vendit i duhet një qeveri e përgjegjshme, jo një Parlament e një maxhorancë që heton për veshin, por që nuk ia vë veshin halleve të njerëzve, që nuk dëgjon zërin e qytetarëve për të kapërcyer ngërçin e integrimit duke mos miratuar ligjet”, deklaroi Meta.

Shqipëria e shekullit 21, deklaroi kreu i LSI, nuk mund të ecë në dy korsi të ndryshme me dy shpejtësi të ndryshme, konkretisht në korsinë imagjinare të qeverisë ku shqiptarët duhet të jenë populli më i lumtur në botë dhe në korsinë e vërtetë.

“Kryeministri edhe kur flet për ekonominë është jashtë realitet shqiptar, duke përshkruar një realitet rozë, një ekonomi që shkëlqen dhe të krahasueshme me ekonominë gjermane. Të gjithë e kuptojnë që nuk mund të hapim vende të reja pune, nuk mund të kemi zhvillim apo mirëqënie kur ekonomia rritet vetëm me 1% të GDP-së, sepse edhe kjo rritje shkon tek një pakicë fatlume që është pranë pushtetit dhe jo tek qytetari i thjeshtë”, theksoi Meta.

Top Channel