Rama: PD, listë paniku e humbjeje

10/05/2013 00:00

Me anë të një autobusi të posaçëm, kreu Edi Rama do të shkojë në çdo cep të Shqipërisë për të prezantuar kandidatët socialistë për deputetë.

I ngjashëm me autobusët e fushatave elektorale të presidentit Obama, Edi Rama i shoqëruar nga një grup gazetarësh udhëtimin e parë me Autobusin e Rilindjes e bëri në drejtim të Durrësit.

Besoj se nga pikëpamja e shfrytëzimit të teknologjisë,- thotë Rama,- kemi arritur të vëmë në dispozicion një arsenal jo të vogël. Besoj që kjo do jetë deri në fund,- theksoi ai,- fushata e parë ku teknologjia do luajë një rol të konsiderueshëm.

Këtë Rama e ka bërë realitet duke sjellë një risi. E ndërsa autobusi i afrohej Durrësit konferenca e shtypit është transmetur direkt në disa televizione, nga ku Edi Rama fillimisht, i përgjigjet interesit të gazetarëve pas vendimit të Arben Malajt për të garuar si kandidat i pavarur.

“Unë do të bëja një dallim shumë të qartë kush është në skuadër për vete dhe kush e do skuadrën për vete. Vjen një moment që tregon veten në raport me skuadrën dhe fatkeqësisht është një moment kur një investim i madh i bërë nga Partia Socialiste nga kjo familje e madhe politike, jo vetëm që nuk kthehet, por përkundrazi me një shkëputje dhe me një pozicionim që nuk është as më pak e as më shumë veçse një pozicionim i gabuar për të bërë gjënë e gabuar në funksion të një qëllimi të gabuar. Unë dua të shpresoj se do të ketë reflektim. Gjithsesi nëse nuk ka një reflektim mbetet e njëjta e vërtetë. Çdo votë jashtë frontit të opozitës, jashtë koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane, është fatkeqësisht një votë që në emër të së majtës i shkon pushtetit, i shkon Saliut, i shkon jo ndryshimit por kalbëzimit”, tha Rama.

Ky ishte komenti i parë i kreut të PS për listën e demokratëve: “Sa i takon listës së PD është një kokteil midis besnikëve qorra dhe tradhtarëve të të gjitha kohërave. Është një listë “spektakolare” për nga shprehja e panikut në prag të humbjes së pushtetit. Si një përpjekje e të mbyturit të kapur pas fijes së barit, kështu e shoh unë atë listë. Është një listë e cila realisht në këndvështrimin tim përbuz elektoratin e Partisë Demokratike, përbuz ata të cilët janë të thirrur të votojnë dhe që me këtë listë trajtohen realisht si mish për top. Pa llogaritur pastaj faktin që vijnë dhe mesazhe të natyrës: “mos na ngacmoni shumë se aty na keni pas 23 qershorit”.

Lidhur me pyetjen per kandidatin e listës së Vlorës Koço Kokëdhima, Rama foli shkurt duke dhene te kuptohet se ai do te shihet ne terren per vota dhe ne jo ne TV per propagandë.

PS prezanton kandidatët në Shkodër

Partia Socialiste ka prezantuar pasditen e së premtes në qytetin e Shkodrës kandidatët e saj për këtë qark. Në fjalën e tij kryetari Edi Rama u ka bërë thirrje shkodranëve që të votojnë për kandidatët socialistë dhe jo për ata të djathtë, që sipas tij kanë zhgënjyer qytetin verior në gjithë këto vite.

“Më 23 qershor shkodranët të votojnë rilindjen dhe jo rrënimin”, ka thënë Rama, i cili e ka cilësuar pushtetin aktual si një regjim që keqtrajton qytetarët.

“Sot është një regjim, me përfaqësues një grusht njerëzish këtu në Shkodër, që i trajton mësuesit si skllevër për t’i çuar në mitingjet e Jozefinës dhe Saliut. Ky regjim i trajton vendet e punës si vende për ata të cilët i shërbejnë pushtetit. Ky regjim i trajton shërbëtorët e shtetit si robër. Ai flet për demokraci dhe nuk vepron në respekt të demokracisë”, ka theksuar Rama.

Ai ka ftuar elektoratin shkodran që ta rilindë Partinë Demokratike, duke ofruar edhe mënyrën më të mirë për të arritur këtë, kalimin e saj në opozitë.

“Shkodranëve të mençur dhe rebelë u takon që më 23 qershor ta rilindin PD-në duke e çuar në opozitë, duke e çliruar nga kthetrat e pushtetit që sot nuk është në gjendje të përballet me plagët që ka hapur vetë”, është shprehur Rama.

Më tej kreu i opozitës ka vijuar me premtimet për punësim, për përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjeve shqiptare, si dhe për një Shqipëri ndryshe, ku të mbizotërojë respekti.

“Shqipëria do t’u përkasë të gjithëve, do të jetë një Shqipëri e respektit ndaj njëri-tjetrit dhe jo e mllefit ndaj njëri-tjetrit. Do të jetë Shqipëri edhe e atyre që jetojnë në fshat, që nuk do të trajtohen më si qytetarë të dorës së dytë. PS do bëjë për Shkodrën, Malësinë e Madhe dhe Pukën atë që nuk është bërë në 20 vjet”, ka premtuar Rama.

PS garon në qarkun e Shkodrës me kandidatët:

1. Mimoza Hafizi
2. Tom Doshi
3. Paulin Sterkaj
4. Namik Kopliku
5. Sait Fishta
6. Gentian Palaj
7. Nikoll Deda
8. Rozafa Zmijanej
9. Megi Ajtyresa
10. Djana Bejko
11. Zef Çuni
12. Pal Lera
13. Janko Shelçaj

Top Channel