Identifikimi i trashëgimisë kulturore, vendet apo asetet me potencialin më të lartë për t’u integruar në përmbledhjet rajonale turistike ishte qëllimi i një konference të organizuar nga Ministria e Kulturës në Prishtinë. Kjo ministri njoftoi se në Prishtinë do të hapet një zyrë turistike.

“MKRS ka në prioritet trashëgiminë dhe turizmin kulturor dhe në vazhdimësi kemi punuar dhe po punojmë në shumë fronte, qoftë në ruajte, promovim, dokumentim, legjislacion e shumë aspekte tjera. Si rrjedhojë e kësaj pune vlen të theksohet se këtë vit Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të hapë zyrën e parë informative turistike moderne në Prishtinë, që do të shërbejë si pikë referimi për të gjithë turistët vendorë dhe ndërkombëtarë, për atraksionet e shumta turistike që Kosova ofron, por edhe si promovues i trashëgimisë botërore të larmishme të Kosovës”, ka deklaruar Burim Maraj, këshilltar në MKRS.

Maraj u shpreh se në Ballkan shpesh momentet historike kanë bërë që trashëgimia të shërbejë si një pikë ndarëse, por sot duhet të shtohen përpjekjet që trashëgimia të jetë si pikë afrimi mes njerëzve dhe popujve të ndryshëm, e jo e kundërta.

Darja Radiç, eksperte e Iniciativës Qendrore Evropiane, e vuri theksin te thellimi i bashkëpunimit rajonal në Evropën juglindore.

“Qëllimi kryesor duhet të jetë avancimi dhe thellimi i bashkëpunimit rajonal në Evropën juglindore dhe kjo duhet ta ndihmojë këtë rajon në integrimin euro-atlantik. Roli kryesor i saj është të koordinojë projektet zhvillimore të karakterit të gjerë rajonal, pasi ky është qëllimi kryesor prej të cilit mund të përfitojnë të gjitha shtetet individuale për të krijuar një ambient të duhur politik për implementimin e këtij projekti”, ka thënë Radiç.

Vendet e trashëgimisë kulturore dhe projektet identifikohen në kuadër të Proçesit të Lubjanës. Një konsultim i tillë po ndodh në vendet e rajonit, Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni, Serbi dhe Shqipëri.

Top Channel