Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim shfrytëzoi 9 Majin, Ditën e Europës për të dërguar një tjetër apel për gjithë klasën politike shqiptare të përfaqësuar në parlament, për miratimin e 3 ligjeve që kërkohen nga Bashkimi Europian për marrjen e statusit të vendit kandidat.

“Sot në Ditën e Europës ftoj kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe gjithë kolegët e tjerë që të takohemi, të shkëputemi 5 minuta nga fushata elektorale deri të enjten në orën 10, për të bashkërenduar miratimin e këtyre 3 ligjeve për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së vazhdueshme të Bashkimit Europian. Shqipëria e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat”, tha zoti Meta.

Kryetari i LSI-së propozoi që ligjet të hyjnë në fuqi në shtator, për të shmangur sic tha ai emërimet me sfond politik, që sipas Metës, janë vërejtur deri më tani, në disa raste në Gjykatën e Lartë.

I pyetur për zhvillimet e fundit në Këshillin Bashkiak të Tiranës, kryetari i LSI-së i cilësoi veprimet e këshilltarëve të djathtë si groteske. Ai ftoi ata të pranojnë vullnetin e shumicës në këtë këshill, duke marrë shembull nga ish-kolegu i tyre në Këshillin Bashkiak në Bashkinë e Elbasanit, që menjëherë pas kërkesës së mazhorancës së re të krijuar nga PS dhe LSI, zgjodhi dorëheqjen.

“Zhvillimet e fundit në Bashkinë e Tiranës, të këshilltarëve, apo ish-kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, nuk janë ato që frymëzojnë standardet europiane. Kemi një ish-kryetar të këshillit që shkel ligjin, shpërfill kërkesën e ligjshme të këshilltarëve shumicë, nuk pranon realitetin e ri, kërkon t’i fshihet kësaj të vërtete duke bërë veprime qesharake, groteske, si ndërrimi i bravës, apo marrjes së celësave me vete. Zoti Kosovrasti duhet të bjerë sa më parë në nivelin e ish-kryetarit të Këshillit në Elbasan që pranoi dorëheqjen dhe pranoi realitetin e ri politik”, deklaroi Meta duke shtuar se e gjithë kjo mbërriti pas dhunimit të KQZ-së si institucion i pavarur.

Në një sondazh të publikuar së fundmi, Aleanca për Shqipërinë Europianë tregohet me 9 pikë përqindje më shumë se sa koalicioni i djathtë. Për Metën, kjo aleancë është më shumë se sa kaq në avantazh. Ai tha se sondazhi është kryer javë më parë dhe se tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe aleanca e majtë ka përparuar.

Top Channel