KESH, eksporte historike

09/05/2013 00:00

Eksportet e energjisë elektrike kanë arritur nivelet më të larta
historike duke lehtësuar sadopak financat e rënduara të Korporataës
Elektroenergjetike.

Të dhënat e fundit zyrtare nga KESH tregojnë se aktualisht po eksportohet rreth 10 milionë kilovat orë energji në ditë në tregjet e huaja. E përkthyer në vlerë, sasia e eksportuar i mundëson KESH të arkëtojë rreth 10 milionë euro në muaj.

Burime nga KESH bëjnë të ditur se ritmet e larta të eksporteve pritet të ruhen edhe në muajt pasardhës, për shkak të rezervës së bollshme në kaskadë. Aktualisht niveli i ujit në Liqenin e Fierzës ndodhet në pikën maksimale 296.9 metër.

Hidrocentralet prodhojne më kapacitet maksimal duke plotësuar nevojën e tregut të brendshëm për energji, por edhe eksportin e saj. Vetëm në dy muajt e fundit KESH ka arkëtuar afërsisht 20 milionë euro nga energjia që ka shitur jashtë.

Një frymëmarrje për Korporatën, e cila është e zhytur në borxh tek bankat private, por edhe ndaj furnitorëve të saj vecanërisht të prodhuesve të vegjël të energjisë, që kanë ndërtuar hidrocentrale me koncesion. Por veç lehtësimit të situatës së rënduar financiare të KESH, shitja e energjisë jashtë po mundëson edhe mbajtjen në ritme pozitive të eksporteve shqiptare, të cilat në tre muajt e parë të vitit u rritën me 17 për qind krahasuar me një vit më parë.   

Top Channel