Mustafaj: Mungon përfaqësimi në çdo listë

07/05/2013 20:00

Për të diskutuar në lidhje me listat e kandidatëve për deputetë, në studion qëndrore të lajmeve të “Top-Channel” ishte i pranishëm zoti Besnik Mustafaj, ish-minister i Jashtëm, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, njohës i mire i të djathtës dhe njëkohesisht analist i atashuar pranë
”Top-Channel”.

Ilir Paço, gazetar – “E nisim nga partitë e vogla dhe të reja për një koment të shkurtër. Si e shihni listen e FRD dhe rolin që do të luajë Partia e Bamir Topit në zgjedhjet e 23 qershorit? Mendoni se tashmë ka një ridimensionim edhe të Aleancës Kuqezi?

Besnik Mustafaj – Mendoj se Aleanca Kuqezi është tashmë një faktor inekzistent në skenën elektorale shqiptare. FRD, siç e përmendët ju në pyetjen tuaj ka një mungesë serioze që është një ndër tre themeluesit e partisë, zotin Biberaj. Kur them tre, kam parasysh Topin e Oketën, së bashku me të, e për më tepër, në listën e Tiranës, ka një disporpocion të madh, mungon përfaqësimi i veriorëve që është serioze nëse më shumë se 60% të zgjedhësve të këtij qarku janë me origjinë veriore. Kjo është një mungesë që do të ndihet, edhe eksperienca e Biberaj, por edhe sensi i përfaqësimit. Mendoj se surpriza mes të voglave mund të jetë Partia Republikane, e cila ka në përbërjen e saj disa personalitete si profile politike, si Agron Dukën në Durrës, profil imponues në llojin dhe mjedisin e tij të agroindustrial, por edhe mjedisin e Durrësit, ku ai është kandidati. Kam parasysh zotin Koka në Shkodër, personalit me rrezatim krahinor shumë interesant por edhe si-ish anëtar i KQZ, figurë me një profil të caktuar, por edhe përfaqësues të shoqatës së pronarëve të jugut dhe të Tiranës. Për këto arsye mendoj se lista që do të bëjë surpriza është ajo e Partisë Republikane.

Ilir Paço – Partia Demokratike ka patur një ndryshim të forte në listen e deputetëve të ardhshëm, ku do të mungojnë mbi 30 deputete nga grupi që po mbyll këtë legjislaturë. Veç kryetarëve të partive aleate, në listen e PD janë edhe tre ish-deputete socialiste. Përveçse në numra, si e shihni në përmbajtje këtë listë?

Besnik Mustafaj – Lista e Tiranës është e kompozuar në mënyrë problematike. i rikthehem konceptit të përfaqësimit, pasi mendoj që në një shoqëri si e jona, qoftë përsa i përket përbërjes dhe stadit të zhvillimit, parimi i përfaqëësimit duhet të merret absolutisht parasysh dhe në këtë parim, lista e PD, që është rezervuari më i madh i deputetëve në Shqipëri, nuk ka në të papërfaqësues të demokratëve të vjetër, të përpara 2005-s, me përjashtim të vetë Berishës apo ndonjë emri si Mima. Nuk ka nga ata demokratë që kanë mbajtur peshën e periudhave të vështira, 1997-99. Një tjetër problem serioz është që ka njerëz që s’kanë lidhje me PD, si Islami e Dogjani, ndaj të cilit në 2005-n bëmë luftë të madhe. Nuk e mas dot elektoratin, por mendoj se demokratët ndihen të papërfaqësuar dhe kam frikën e abstenimit në masë.

Ilir Paço – Një koment për listën e socialistëve, ku edhe këtu nuk mungojnë të larguarit dhe prurjet e reja, e po ashtu edhe pakënaqësitë.

Besnik Mustafaj – Lista e PS rrezaton në mënyrë flagrante arrogancën e Ramës, që mendon se njerëzit do të votojnë kundër Saliut dhe për të. Fenomeni më interesant do të jetë ai i Arben Malaj, i cili me kandidimin e tij të pavarur mendon se po hedh një hap në emancipimin shqiptar, të shohim sa e vërtetë do të jetë. Lista është problematike përsa i përket pëfaqësimit edhe tek Partia Socialiste. Le të marrim Vlorën, unë jam njeri i ndjeshëm ndaj konceptit të përfaqësimit. Tre të parët në këtë listë janë tre ortodoksë, kur e dimë që Vlora është një qytet ku bashkëjetojnë të gjithë komunitetet fetare. Kjo s’duhet harruar pasi  në emër të përfaqësimit ruajmë harmoninë e shoqërisë shqiptare. Vlora është e ç’balancuar nga PS në këtë drejtim.

Top Channel