Ndërsa ora e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shënon 14 minuta pas mesnatës, kur edhe ka skaduar afati zyrtar për regjistrimin e kandidatëve të forcave politike, që do të garojnë në 23 qershor, është Partia Demokratike dhe përfaqësuesi i saj ligjor në KQZ, zoti Njazi Kosovrasti, i cili vetëm 5 minuta më parë ka depozituar pranë protokollit të institucionit më të lartë zgjedhor emrat e listës së PD-së për zgjedhjet e 23 qershorit.

Forca më e madhe në pushtet, me regjistrimin e saj në KQZ, mbyll në këtë mënyrë këtë garë të ethshme e të lodhshme, për të mësuar emrat e atyre që do të jenë edhe kandidatët e 23 qershorit.

“Unë besoj që isha në kohën e duhur dhe s’kishte probleme. Gjithçka konform ligjit”, tha Kosovrasti.

Listat e fundit të depozituara në KQZ, të Partisë Demokratike, shtatë minuta pas afatit, sipas orës së institucionit më të lartë zgjedhor, janë paraprirë nga emrat e kandidatëve të forcës tjetër politike më të madhe në vend, Partisë Socialiste, përfaqësuesi ligjor i së cilësm Genc Gjonçaj, ka mbërritur pak para mesnatës.

“Pa dyshim që nga zyra e shtypit do t’iu bëhet e mundur në mënyrë elektronike lista e deputetëve. Por, ishte një ditë e lodhshme për të gjithë”, tha Gjonçaj.

Por, përpos dy partive më të mëdha në vend, çuditërisht edhe forcat e tjera politike, ndër të cilat edhe ato që i kishin përcaktuar më herët kandidatët, si FRD apo AK, kanë ndjekur traditën e PD-PS, për t’ dorëzuar emrat e kandidatëve të tyre në orët e fundit të afatit zyrtar.

Ndërsa s’kishte supriza për Frymën e Re Demokratike, ku kryetari Bamir Topi e ka përcaktuar tashmë kandidimin në Tiranë dhe deputeti i saj, Gazmend Oketa, në Durrës, AK gjithashtu ka kandiduar kryetarin, Kreshnik Spahiu, në Tiranë, por nuk ka vënë në listë Muslym Pashajn.

Ndërsa kryetarët e partive të vogla kanë vendosur emrat në krye të listës së Tiranës, ka rënë në sy kreu i PBDNj-së, Vangjel Dule, që kryeson listën e partisë së tij në Vlorë.

Përpos partive, listës së kandidatëve të pavarur i është shtuar edhe emri i deputetit të PS, Arben Malaj, që është regjistruar si i tillë në qarkun e Vlorës. Teksa pritej të mbërrinte vetë në KQZ, ai e ka kryer aktin ligjor të regjistrimit, përmes personave të autorizuar prej tij, duke bërë që, së bashku me Dritan Priftin, të jenë dy deputetët e kësaj legjislature, që garojnë të pavarur.

Me protokollimin e kërkesave ligjore për regjistrimin e partive dhe kandidatëve, KQZ, administrata e të cilit ka qenë gjithashtu në këto ambjente deri pas mesnate, ka mbyllur dhe këtë detyrim të kodit zgjedhor për garën elektorale të 23 qershorit, që do të pasohet nga miratimi i tyre në mbledhjen e ardhshme.

Top Channel