Kryeministri Sali Berisha përuroi rrugën që lidh Urën Vajgurore me fshatrat Pashall dhe Bistrovicë. Në fjalën e rastit, Berisha kërkoi një tjetër mandat qeverisës për të realizuar atë që ai e quan Shqipëria Europiane.

Kreu i mazhorancës tha se Partia Demokratike dhe aleatët e saj paraqiten në zgjedhjet e 23 qershorit dhe kërkojnë një mandat të tretë me dy lista. Njëra prej tyre është lista e kandidatëve që kryeministri i quajti të shkëlqyer dhe tjetra është lista e veprave të realizuara dhe që do të realizohen.

Kryeministri shtoi se prioritet i qeverisjes së tij do të jetë infrastruktura rrugore dhe punësimi. Ai premtoi gjithashtu heqjen e taksës mbi vlerën e shtuar për makineritë e prodhimit, masë që Berisha tha se do të ketë efekte pozitive në rritjen ekonomike.

“Infrastruktura rrugore dhe punësimi është prioriteti ynë dhe ne në këto zgjedhje në vijmë me dy lista, lista e kandidatëve të shkëlqyer dhe lista e veprave. Do nxisim rritjen ekonomike edhe pse jemi në kohën që ka rritje të ndjeshme, do heqim TVSH për të gjitha makineritë për prodhim që do ketë efekte pozitive”, deklaroi kryeministri.

Berisha akuzoi sërish opozitën për pengim të marrjes së statusit të vendit kandidat. Kjo, tha ai, i hoqi Shqipëria qindra milionë euro investime që vendi do të përfitonte nëse do të merrej ky status.

Rruga e re që lidh Urën Vajgurore me Pashallin dhe Bestrovicën u shërben rreth 5500 banorëve të kësaj zone.

Top Channel