Një anëtare e një grupi famëkeq neonazist gjerman u paraqit sot në gjykatën e Mynihut, për t’u përballur me akuzën e një serie vrasjesh me motive racore.
38-vjeçarja Beate Zschaepe ishte anëtare e grupit të Nëndheshëm Nacional Socialist, i dyshuar për vrasjen e 10 personave, shumica emigrantë me origjinë turke.
Zschaepe, e akuzuara e vetme e një rrjeti prej shtatë personash, katër prej të cilëve gjithashtu përballen me të njëjtat akuza, ndërsa dy të tjerë preferuan vetvrasjen në prag të arrestimit, përshëndeti në mënyrën naziste në hyrjen në sallën e gjykimit, ndërsa i ktheu shpinën kamerave.
Rasti i kësaj celule neonaziste, që realizoi vrasjet e saj në disa qytete gjermane gjatë viteve 2000-07, ngjalli debate të ashpra në vend, pasi policia për vite me radhë akuzoi në mënyrë të gabuar mafien turke për këto ngjarje.
Viktimat rrëmbeheshin nga anëtarët e grupit nëpër qytete, pasi vëzhgoheshin për disa ditë me radhë dhe ekzekutoheshin më pas në zona pyjore.
Motivi i vetëm i këtyre vrasjeve ishte urrejtja që ndienin anëtarët e grupit neonazist për multikulturalizmin dhe personat e emigruar për kushte më të mira jetese në Gjermani.
Pas arrestimit të celulës, kancelarja Merkel reagoi në mënyrë të ashpër, duke akuzuar forcat e rendit për paaftësi, ndërsa skandali detyroi kryetarin e Shërbimit të Brendshëm të Inteligjencës që të paraqiste dorëheqjen.
Midis të akuzuarve, Zschaepe besohet se ishte personi me gradën më të lartë në organizatë. Ajo rrezikon dënimin me burgim të përjetshëm nëse do të shpallet fajtore.
Top Channel