Opozita: Të çlirohemi nga Berisha

05/05/2013 00:00

Në 5 maj, ditën e dëshmorëve. opozita e bashkuar ka nderuar të rënet duke i cilesuar si themelet mbi të cilat është ngritur kombi shqiptar, historia e djeshme dhe e sotme e tij.

”Ky 5 maj përkon edhe me fushatën zgjedhore e me sa duket, të majtëve u takon përëri të çlirojnë Shqipërinë në 23 qershor sepse tek ne, nuk bëhet fjalë thjesht për rotacion politik, por për rilindje të vërtetë shqiptare”, komentoi kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi.

Nga ana e tij, në emër të LSI-së, Ilir Meta shtoi: “Unë besoj se 5 maji është një ditë shumë e rëndësishme kujtese e nderimi, por edhe frymëzimi për të ardhmen e jam i bindur se edhe 23 qershori që kemi përpara do të japi me pjesëmarrjen masive të shqiptarëve në votime një kontribut të rëndësishëm, për një të ardhme më të mirë, por edhe për të lartësuar më tej kujtimin e veprën e dëshmorëve të atdheut”.

Ndërkohe, kryesocialisti Rama tha se ka ardhur momenti që politika të shkojë në duart e qytetareve, duke e shkëputur përfundimisht Shqipërine sipas tij nga interesat familjare të kryeministrit aktual, Sali Berisha.

”Ne jemi këtu krenarë, për t’i dhënë shqiptarëve një alternativë, një alternativë që është alternativa e të gjithë forcave të majta, të qendërs dhe të gjithë të djathtëve që vijnë jo nga përralla spiunësh, por me radhët e atyre që u ndoqën e përndoëqën dy herë, nga Partia Komuniste dhe nga një parti që lindi me ëndrra e shpresa, e u kthye në një parti familjare, pushtet familjar e që ka kthyer shtetin më paradhomën e kësaj force, që tanimë duhet ta mbështesim të rilindë duke e çuar në opozitë”, deklaroi kryetari i opozitës, Edi Rama.

Për zotin Rama, 23 qershori është momenti për të ringritur endrrat e lëna mënjanë si pasojë e zhgenjimeve të njëpasnjëshme 22-vjeçare.

Ëndrra që sipas tij nuk jane mbytur perfundimisht, por presin doren e duhur për t’i ringritur sërisht.

”Jo vetëm që nuk janë mbytur në batakun që ka hapur mes nesh dhe Europës kjo qeveri, por përkundrazi, janë aty të gatshme të marrin rrugën pasi populli me votë hap rrugën në 23 qershor, duke votuar Aleancën për Shqipërinë Europiane”, shtoi Rama.

Top Channel