Deputetët, “ethet” e së hënës

05/05/2013 19:40

Ora 00:00 e së martës shënon afatin e fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, në zgjedhjet e 23 qershorit.

Tashmë nga PD dihet, se ku do kandidojë Berisha dhe figurat kryesore: Bode, Topalli, Olldashi apo Patozi. Është konfirmuar gjithashtu edhe përfshirja në listë e ish-socialistëve Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli, Asllan Dogjani, dhe pritet ajo e kryetarëve të partive aleate.

Berisha bëri të ditur, të enjten, se ai do të kryesojë listën e Tiranës, Topalli atë të Shkodrës, Olldashi në Fier, ndërsa Bode në Korçë. Ajo që do të shihet të hënën është nëse Berisha do të konfirmojë Kadelin në Lezhë, Dogjanin në Kukës apo Tiranë dhe, më interesantja, se ku do të vendosë Islamin e krerët e partive aleate.

Mes demokratëve ende nuk janë shfaqur shenja të forta të pakënaqësisë, ndoshta edhe pse lista e deputetëve për shumicën e tyre vazhdon të mbetet ende e fshehtë, dhe të gjithë po presin të mësojnë ende, nëse janë apo jo në listë dhe ku mund të jenë vendosur.

Por, ai që deklaroi publikisht largimin, një ditë më parë, ishte anëtari i Këshillit Kombëtar, Besnik Jaku, që akuzoi lidershipin e Partisë Demokratike për mosfunksionim të strukturave drejtuese të partisë, marrjen peng të saj nga një grup i caktuar njerëzish dhe mostransparencë në vendimet politike, duke përfshirë edhe listat e zgjedhësve.

Në kampin e majtë nuk pritet ndonjë suprizë, pasi dihet ku do të kandidojë Rama, Majko, Blushi, Ruçi, të cilët do të kryesojnë listat respektive në Vlorë, Tiranë, Elbasan e Fier.

Ajo që pritet të shihet është plotësimi i tyre, cilët deputetë të grupit aktual do të jenë pjesë dhe cilat do të jenë prurjet e reja. Por, në pritje të listave përfundimtare, janë shfaqur edhe të pakënaqurit e parë, siç ishte rasti i deputetes së qarkut të Elbasanit, Shegushe Ligori.

Dy ditët e fundit kanë nisur të qarkullojnë informacione të pakonfirmura, se njëri prej deputetëve më aktivë të PS, Erjon Braçe, nuk do të përfshihet në listën finale të opozitës.

Të tilla informacione kanë nxitur një grup të rinjsh nga FRESSH, të cilët, mesditën e së dielës, i kanë dërguar medias një e-mail, përmes të cilit kërkojnë përfshirjen e Elisa Spiropalit dhe Erjon Braçes në listat e deputetëve socialistë.

“Si një grup i madh të rinjsh, që mbështesim Partinë Socialiste dhe FRESSH, kërkojmë që në Parlamentin e ardhshëm të përfaqësohemi denjësisht, nga dy njerëz frymëzues për ne, Elisa Spiropali dhe Erjon Braçe”, thuhet në mesazh.

Ata kërkojnë përfshirjen e tyre në listat për deputetë dhe kërcënojnë se, në të kundërt, do të protestojnë përpara selisë së PS-së dhe do të nisin një aksion bojkotimi të fushatës.

Burime nga PS, pasditen e së dielës, i thanë Top Channel se Erjon Braçe do të jetë pjesë e ekipit të kandidatëve për deputetë të PS-së, pa specifikuar se në cilin qark.

Ndërsa drejtuesit e FRESSH, nëpërmjet postimeve të tyre në Facebook, sqarojnë se e-maili i dërguar nuk ka lidhje me FRESSH dhe është thjesht një sajesë për të krijuar situata të paqena.

Top Channel