Banka e Shqipërisë: Rënie e ekonomisë

05/05/2013 15:25

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja ekonomike e Shqipërisë mund të ngadalësohet më tej gjatë dy viteve të ardhshme, duke tentuar nivelet më minimale.

Në raportin e stabiliteti financiar, Banka ka bërë për herë të parë publike vlerësimet e saj për rritjen ekonomike në dy vitet e ardhshme.

Shifrat janë publikuar në skenarin bazë të stres testeve që banka qëndrore kryen për të vlerësuar qëndrueshmërinë e sektorit financiar në vend.

Sipas këtij skenari, ekspertët e Departamentit të Kërkimeve dhe ata të Stabilitetit Financiar presin që këtë vit rritja reale ekonomike të jetë 1.43 përqind, ndërsa vitin e ardhshëm të ulet edhe më shumë në 1.26 për qind.

Të dy këto vlera janë më të ulta se sa rritja ekonomike e vitit të kaluar, prej 1.6 për qind, që ishte niveli më i ulët që nga 1997-a.

Sinjalet se rritja ekonomike do të jetë minimale edhe për këtë vit, Banka Qëndrore i kishte bërë publike që më parë gjatë deklaratave zyrtare të guvernatorit, që vlerësonte se norma e rritjes së prodhimit kombëtar do të ishte në të njëtat nivele me vitin e kaluar.

Por, kjo është hera e parë kur ajo publikon vlerësime numerike. Edhe pse ushtrimet për qëndrueshmërine e sistemit financiar tentojnë të bazohen mbi parashikime më konservatore, ato nuk ndryshojnë shumë nga vlerësimet zyrtare duke treguar qartë se pritshmëritë e Bankës Qëndrore për rritjen ekonomike mbeten jo fort optimiste të paktën edhe për dy vitet e ardhshme.  

Top Channel