Dublimet në listat e zgjedhësve

04/05/2013 00:00

Ministria e Brendshme paraqiti të dhënat më të fundit të ekstraktit të
listës së zgjedhësve, në bazë të të cilave pas gjashtë javësh qytetarët
do t’i drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet e 23 qershorit.

Duke u ndalur tek pastrimi i dublimeve, që përbën një nga shqetësimet kryesore të listës së zgjedhësve, zëvendësministri Ferdinand Poni tha se nga 7674 rekode të dyshuara, ky numër ka zbritur në 1454.

“Në datë 12 dhjetor 2012 ne kemi dërguar 7674 rekorde të dyshuara si të dubluara. Me ekstraktin e datës 3 maj, ky numër ka mbetur vetëm 1454 rekorde të dyshuara si të dubluara”, tha zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni.

Në ekstraktin e listës së zgjedhësve të datës 3 maj rezultojnë 3.271.956 zgjedhës, prej të cilëve 14 216 janë akoma në format jo të gatshëm për publikim.

“14 216 zgjedhës ndodhen në qendrat e votimit, që për shkak të kritereve të ligjit mbi numërin e zgjedhësve në qendrat e votimit nga 200 deri në 1000, dhe 700 për Tiranën janë akoma në format jo të gatshëm për publikim”, tha Poni.

Zoti Poni tha se deri në mbyllje të afatit ligjor, pra 40 ditë para datës së zgjedhjeve, lista do të marrë formën e duhur në përputhje me ligjin.

Top Channel