Ekspertët kundër Qeverisë

03/05/2013 00:00

Ekspertët thonë se skema e Qeverisë që rimburson Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për lëndët e para në bujqësi është e pazbatueshme.

“Si do të mund të rakordohen të gjitha veprimtaritë në nivelet e qarqeve të një numri të konsiderueshëm fermash në kushtet e mungesës së regjistrit kombëtar të fermave dhe në kushtet kur ato kur nuk trajtohen si biznese të mirëfillta. Fermeri nuk ka para në xhep dhe ne i themi të shkojë të blejë impute me çmime të larta, kjo strategji nuk e bën të interesuar fermerin”, thotë Bahri Musabelliu, dekan i Fakultetit të Ekonomisë Agrare.

Musabelliu thotë se varianti fillestar i ligjit, ai që i përjashtonte lëndët e para bujqësore nga TVSH-ja ishte një zgjidhje me e mirë për fermerët.

“Fermerët në zonat ndërurale mund të kenë shumë probleme, por një problem themelor që kanë ata është mungesa e parave kesh në momente të caktuara kohe. Bujqësia nuk është si industria që një lloj lënde të parë që brenda ditës merr produktin përfundimtare dhe e çon në treg”, thotë Musabelliu.

Por sipas tij edhe kjo masë duhet të shoqërohet me një sërë ndërhyrjesh të tjera për të ndihmuar sektorin e bujqësisë. Në fillim të prillit Parlamenti miratoi njëherë një ligj që i përjashtonte lëndët e para bujqësore nga tatimi 20 për qind i vlerës së shtuar. Por një ditë para se ligji të hynte në fuqi, Qeveria e anuloi atë duke e zëvendësuar me një skemë që synon ta kompesoje fermerin me para në dorë për vlerën e TVSH-së që ka paguar në lëndët e para.   

Top Channel