Rënie historike e interesit të bonove

01/05/2013 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se interesat e
bonove të thesarit kanë cekur nivelet më të ulëta të të gjitha
kohërave.

Në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë, interesat e bonove me afat maturimi një vit ranë në 5.99 për qind. Kjo është hera e parë në histori kur Qeveria merr borxh njëvjecar në lekë me interes më të ulët se 6 për qind, edhe pse ka rritur fort huamarrjen e brendshme.

Ndonëse një lajm i mirë në dukje, për ekspertët ajo që po ndodh me interesat e letrave me vlerë është tregues i krizës që po kalon sektori privat. Për shkak të ngadalësimit ekonomik dhe pasigurive të larta, biznesi ka pezulluar thuajse plotësisht investimet e financuara përmes kredive, ndërsa individët vazhdojnë të tkurrin konsumin.

Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me marsin e vitit të kaluar totali i kredisë për privatët është rritur me vetëm 6.5 miliardë lekë. Ky është niveli më i ulët që nga viti 2000. Në këto kushte, prej më shumë se një vit, qeveria është i vetmi klient që kërkon borxh në treg dhe e vetmja mundësi e bankave për të investuar fondet e tyre.

Në tre muajt e parë të vitit, Ministria e Financave ka marrë borxh tre herë më shumë se sa gjithë kredia e marrë biznesi dhe individët në harkun kohor të një viti. Një tregues që dëshmon se këtë vit më shumë se herët e tjera, euria e ekonomisë do të varet nga sektori publik. Por me një rrezik të lartë, atë të shthurjes së finacave publike.    

Top Channel