Rikthehet TVSH për bujqësinë

30/04/2013 00:00

Fermerët nuk do të përfitojnë nga heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar
për lëndët e para. Një muaj pas miratimit në Parlament dhe ende pa hyrë
në fuqi, Qeveria në mënyrë të papritur e ka anuluar ligjin, duke
prezantuar një skemë të re.

“Gjatë një periudhe të caktuara kohe që do të përcaktohet në VKM, që mund të jetë tre muaj, katër muaj, një muaj, të gjithë fermerët, të cilët kanë bërë blerje të lëndëve të para, plehra kimikë, farëra etj, i kanë blerë tek subjektet të regjistruar me TVSH. Kundrejt këtyre blerjeve ata kanë marrë faturat e nënshkruara me TVSH nga të tilla subjekte. Fermeri do të marrë faturat, do të kalojë tek agjencitë që janë aktualisht pranë drejtorive rajonale në Bashki dhe aty do të bëjë kërkesën e tij për kompensim të TVSH-së”, tha Arjana Dyrmishi, drejtore e politikave fiskale në Ministrinë e Financave.

Për opozitën, skema e re që bazohet te rimbursimi me para në dorë i fermerëve, është një mashtrim elektoral i pazbatueshëm në terren.

“E gjithë formula është e paralizueshme dhe abuzive. Nëse ju nuk keni mundësi të kontrolloni dot importuesit e imputeve bujqësore, se si mund ta shkarkojnë çmimin e tyre sot nga TVSH-ja që nuk do të paguajnë, ky është problem i juaji. Por që t’i thuash fshatarëve sot, meqënëse unë nuk e kam dot këtë kontroll do të ndërmarr një veprim që nuk e kam aspak kontrollin, kjo është akoma më e turpshme”, tha deputeti socialist, Ilir Bejtja.

“Eshtë shumë më e thjeshtë, mendoj unë, dhe ka për të qenë mjaft më efektive, sepse direkt përfitimi do të shkojë të fermeri. E them këtë se ne praktikisht e aplikojmë një skemë të tillë. Kemi subvencionet për pemtarinë, për vreshtarinë, për ullinjtë, të cilat ia japim fermerit me një mekanizëm të tillë. Nuk ka përse të ketë dyshim që do të funksionojë apo jo, sepse ajo funksionon”, tha deputeti i PD, Edmond Spaho.

Arben Malaj, ish-ministër i Financave ngriti një tjetër shqetësim. Atë se ndryshimet e shpeshta në ligjet tatimore po çorodisin biznesin duke frenuar investimet.

“Unë ju garantoj që edhe nga kontaktet që kam me biznesin të gjithë pyesin: ‘Do të hyjë kjo politikë e re në fuqi apo jo? Do të hyjë këtë muaj, apo muajin tjetër? Ta bëjmë këtë investim tani apo të presim?’ Kështu që përveç të keqpërdorimit të politikave fiskale në këtë ambient elektoral është dëmi i madh që i bëni biznesit. Prandaj paketat fiskale nuk janë kurrë spontane. Nuk vijnë as nga takimet që bëhen në popull dhe as në mënyrë spontane se çfarë premton Kryeministri apo një ministër”, tha Malaj.

Heqja e TVSH-së për lëndët e para në bujqësi u trumbetua fort nga Qeveria dhe vetë Kryeministrit në takimet elektorale me fermerët, si një masë që do nxiste ekonominë dhe prodhimin.

Loja me TVSH-në e bujqësisë

Cilat ishin argumentat e qeverisë dy muaj më parë


Në shtatë shkurt të këtij viti, vetëm dy muaj më parë, kryeministri bëri publike nismën për heqjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për lëndët e para në bujqësi.

”Qeveria do të ndërmarrë nismën ligjore dhe do të dërgojë së shpejti në Parlament heqjen e TVSH-së për të gjitha llojet e kimikateve, plehrave kimike, substancave të ndryshme, fidanëve, farërave dhe të gjithë çka tjetër që importohen për qëllime të zhvillimit të bujqësisë, frutikulturës, blegtorisë e të gjithë sektorëve të kësaj fushe shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë. Kjo masë përbën mbështetjen më të fuqishme që fermeri shqiptar ka marrë nga qeveria, në rrafshin fiskal, gjatë këtyre 20 viteve”, deklaroi atëherë kreu i ekzekutivit shqiptar.

Në atë kohë, kryeministri tha se qeveria ka argumente të forta për të ndërmarrë këtë nismë, sipas tij të mirëstudiuar.

”Kjo është edhe shtylla ndër më kryesore e programit tonë për nxitjen e biznesit, me bindjen më të thellë se kjo është rruga e krijimit të vendeve të punës, kjo është rruga e krijimit të mijëra e mijëra vendeve të punës, e shfrytëzimit të potencialeve të mëdha që ofron sektori i bujqësisë”, komentoi Berisha në shkurt.

Ligji u miratua në Parlament dhe sipas afateve duhet të hynte në fuqi në datën 1 maj.  Por, vetëm dy ditë para këtij afati,  qeveria e anulloi masën që në fjalët e kryeministrit ishte ndër shtyllat më kryesore të programit qeverisës. 

Kjo është ndër të paktat herë, kur një ligj, anullohet pa hyrë ende në fuqi. Një rekord, që ngre pikëpyetje mbi seriozitetin me të përgatit dhe hartohet politika fiskale. Në jo pak raste, ndryshimet tatimore gjatë viteve të fundit, shpesh kanë përmbysur njëra tjetrën  duke coroditur biznesin dhe frenuar investimet, në kohë të vështira për ekonominë.

Top Channel