Komisioni Hetimor i ngritur për hetimin e incidentit të Vjenës, nuk ka humbur kohë dhe një ditë pas ngritjes nga Kuvendi ka zhvilluar mbledhjen e parë.

Në të është paraqitur plani i veprimit, sipas të cilit do të hetohet ajo që demokratët e quajnë incidenti i Vjenës.

“Është e njohur botërisht se cfarë ka ndodhur, e raportuar në media nëpërmjet palëve të ndryshme dhe opinioneve të ndryshme natyrisht. Kjo përbën bazën dhe të dhënat paraprake mbi të cilat ne duhet të verifikojmë. Pra kemi një bazë relativisht të mjaftueshme”, deklaroi Fatbardh Kadilli, kryetar i komisionit hetimor.

Tek faktet e njohura botërisht, sic deputetët demokratë e cilësuan, do të ballafaqohen me deklarimet e personave të përfshirë në të. Përvec Egin Cekës, dhe ata që komisioni do t’i vlerësojë si dëshmitarë do të ftohet në seancë të dëshmojë edhe kreu i opozitës.

Megjithë mungesën e deputetëve të PS-së në Komision, kjo nuk ka penguar demokratët të kenë propozime të ndryshme.

“Unë do të propozoja dhe do t’i sugjeroja kolegëve të mi që të kqyrim me intensitet cik me të lartë në mënyrë që miratimi i raportit përfundimtar të bëhet në datën më të parë”, tha deputeti Osman Metalla, anëtar i komisionit.

“Duke qenë se cështja është shumë e ndjeshme dhe në qendër të kësaj ngjarje është kryetari i opozitës unë pretendoj që të ecim hap pas hapi duke parë edhe gatishmërinë e personave që duhet të paraqiten të dëshmojnë”, tha anëtari tjetër i komisionit, Luçiano Boçi.

Demokratët ftuan deputetët e opozitës që të marrin pjesë në këtë komision për të dhënë kontributin e tyre në një cështje që ndoshta jo për lapsus njëri prej deputetëve në komision e quajti jo vetëm politike.

Top Channel