BSH: Kujdes borxhin dhe defiçitin

30/04/2013 00:00

Banka e Shqipërisë parashikon një rritje të ulët të ekonomisë për 3-mujorin e parë të këtij viti. Edhe pse të dhënat zyrtare ende nuk janë publikuar, të dhënat indirekte tregojnë tkurrje të ekonomisë.

“Të dhënat mbi ecurinë e ekonomisë për 3-mujorin e parë të këtij viti, mbeten akoma të pakta. Analizat tona të bazuara mbi treguesit indirektë vlerësojnë se rritja ekonomike ka qenë e ulët. Ajo është mbështetur kryesisht në kërkesën e huaj, ndërkohë që përbëresit e kërkesës së brendshme vazhdojnë të shfaqen me një ecuri të plogësht. Konsumi dhe investimet private mbeten të dobëta, në prani të pasigurive të të ardhmes, të ngadalësimit të të ardhurave dhe në kushtet e shtrëngimit të financimit dhe kapaciteteve të lira të prodhimit”, deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Fullani bëri apel që të kihet kujdes me deficitin buxhetor dhe me borxhin publik, pasi të ardhurat kanë rënë dhe investimet e qeverisë janë rritur.

“Defiçiti buxhetor u rrit me 41.5 përqind gjatë këtij 3-mujori duke reflektuar rënien me 3.4 përqind të të ardhurave fiskale dhe njëkohësisht rritjen me 1.4 përqind të shpenzimeve publike gjatë kësaj periudhe. Banka e Shqipërisë tërheq edhe njëherë vëmendjen për rëndësinë e ruajtjes së ekuilibrave fiskale dhe njëkohësisht kontrollin e defiçitit buxhetor dhe të borxhit publik në nivele të përballueshme dhe të padëmshme për ekonomine shqiptare”, tha zoti Fullani.

Por thirrja e Bankës së Shqipërisë me shumë gjasa do të bjerë në vesh të shurdhër duke qenë se jemi pranë kulmit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit dhe kurba e shpenzimeve të qeverisë në investime publike është gjithnjë në rritje.

Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në 3.75 përqind.

Top Channel