Parashikime të zymta për BE

29/04/2013 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se Europa po kërcënohet nga një
stanjacion i gjatë ekonomik, një skenar i ngjashëm me atë të Japonisë,
që u përball me dy dekada krize.

Gjatë një prezantimi në Londër, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i FMN-së, David Lipton ka theksuar se hendeku mes ekonomive europiane me vendet e tjera të zhvilluara po thellohet.  

“Ndërsa ekonomia amerikane po përmirësohet, Europa vazhdon të jetë në recesion, veçanërisht në vendet periferike,” ka deklaruar Lipton.  

Sipas FMN, vitin e ardhshëm, ekonomia amerikane pritet të rritet me mbi 3 për qind ndërsa Eurozona do të ketë një rritje minimale 1 për qind. Por edhe ky skenar sipas Lipton ka rreziqe.

“Investimet në Europë janë duke rënë dhe papunësia vazhdon të rritet. Nga ana tjetër tregjet financiare janë nervoze duke penguar transmetimin e politikës monetare. Për shkak të kësaj situate, skenari i stanjacionit është aktualisht ai më shqetësuesi”,  ka deklaruar numri i dy i Fondit Monetar.

Sipas FMN, vec borxheve të larta të qeverive, Eurozona kërcënohet edhe nga huamarrja kritike e sektorit privat, që mund të frenojë kërkesën dhe të mbajë në presion bilancet e bankave për shumë kohë.

Në Spanjë dhe Portugali, kredia e biznesit është gati 1.8 herë më i lartë se Prodhimi Kombëtar. Në kushtet e një rritje të dobët ekonomike, borxhet e larta të biznesit, sipas FMN-së rrisin rrezikun për falimentime masive të ndërmarrjeve dhe kjo do të trondiste sërish sistemin bankar në Europë.

Parashikimet e zymta për Eurozonën janë një sinjal i fortë negativ, veçanërisht për ekonomitë e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë. Për shkak të krizës së thellë të eurozonës, Ballkani është shndërruar tre vitet e fundit në rajonin me rritjen më të ulët ekonomike, ndër vendet në zhvillim dhe sipas FMN kjo mund të vazhdojë për shumë vjet.  

Top Channel