Meta në Vlorë: Koha për ndryshim

29/04/2013 00:00

Nga qyteti i Vlorës ku ishte për një takim me simpatizantët dhe mbështetësit e LSI-së, kreu i kësaj force politike, Ilir Meta shprehu bindjen në fitoren e opozitës në zgjedhjet e 23 qershorit.

Meta tha se është koha për ndryshim dhe të ecet më shpejt drejt integrimit europian të vendit. “Ata që u përpoqën të anashkalojnë Vlorën dhe të anashkalojnë Ismail Qemalin bënë një gabim të madh sepse kërkuan të maten me historinë”, tha Meta.

“Por më 24 qershor kjo do të marrë fund sepse kur thua Vlorë nuk të vjen përpara syve pushteti, por kur thua Vlorë të vjen në kujtesë shteti, themelet e tij, institucionet e tij, sepse këtu u krijuan për herë të parë themelet e shtetit tonë dhe sot pas 100 vitesh Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s që ka bërë me mund jo pak në rrugën drejt integrimit europian. Por tani është koha të ecim më shpejt”, vijoi kreu i LSI-së.

Meta tha se opozita ka një plan konkret për zhvillimin e vendit, për punësimin dhe për turizmin. Më tej ai u ndal tek premtimet e kryeministrit Berisha për hapjen e 250 mijë vendeve të reja pune në mandatin e tretë qeverisës duke thënë se një gjë e tillë nuk mund të realizohet nga një mazhorancë që në 8 vite nuk ka krijuar dot më shumë se 50 mijë vende pune.

“Aleanca për Shqipërinë Europiane e nisi fitoren në Shkodër dhe do ta mbyllë në Vlorë”, tha Meta.

Top Channel