Berisha: Përpjekje për barazinë gjinore

28/04/2013 11:20

Në një takim me gratë biznesmene, manaxhere dhe sipërmarrëse të Durrësit, kryeministri Berisha premtoi mbështetjen e shtetit në luftën për barazi gjinore, ndërsa për herë të parë në këtë fushatë sugjeroi ndërhyrjen e qeverisë për ndryshimin e taksave vendore.

”Pjesa më e madhe e ekselencave janë gratë, ndaj është e domosdoshme që të ngushtohet gjithmonë e më shumë barazia gjinore. Aktualisht, diferenca e pagave ka zbritur në 17,7%, por duhet të vazhdojë puna për ta reduktuar këtë hendek edhe më shumë”, deklaroi kryeministri Berisha.

”Femrat në pozicione drejtuese janë ende në një nivel të ulët dhe duhet e gjithë mbështetja e shtetit për të luftuar murin patriarkal”.

Duke zhvendosur bisedën tek arsimi dhe mënyra se si do të formohen kuadrot e reja femra, Berisha tha: “Kemi gati projektin e ri për arsimin, ku do të përdoren edhe kreditë studentore. Përdorimi i këtyre kredive do të jetë në gjendje që të përmirësojë cilësinë e shkollave të larta, ndërsa kjo kredi do të garantohet nga shteti”.

Përpara ankesës së një zonje, pjesëmarrëse në forum, mbi taksat e larta në qytetin e Durrësit, kryeministri u përgjigj: “Është diçka absolutisht e vërtetë, shqetësuese dhe e paligjshme. Ky shqetësim është konstatuar edhe prej meje dhe kam arritur të konstatoj se taksat në qytetin tuaj janë 40-60% më të larta. Kjo është e jashtëligjshme, sepse një bashki mund të luhasë taksat vendore me plus, minus 10% në bazë të ligjit. Kjo është ajo që bën politika e Ramës (duke iu referuar drejtimit të majtë të bashkisë) dhe taksa e tij progresive, që në Tiranë e çoi deri në 100% tatimet vendore. Unë, ju premtoj se menjëherë do të kërkoj mbledhjen e këshillit bashkiak, për të kërkuar uljen urgjente të taksave, ndërsa ju bëj thirrje që të mos paguani asnjë tatim më shumë nga ato që ju takojnë ligjërisht”.

Top Channel