PS shpalos programin në Vlorë

27/04/2013 00:00

Partia Socialiste ka zgjedhur Vlorën për të mbyllur konferencat rajonale të prezantimit të programit qeverisës, fazë që do të pasohet me botimin e tij.

Duke sqaruar pikë për pikë, çdo pjesë të programit për të gjithë sektorët që opozita shqiptare premton rilindjen, kryetari Edi Rama tha se taksimi i ndershëm që PS do të aplikojë menjëherë pas 23 qershorit do t’u sigurojë më shumë të ardhura atyre që fitojnë më pak, padrejtësi që do të vihet në vend pas gjithë këtyre viteve që demokratët kanë aplikuar taksën e sheshtë.

“Pse polici që fiton pak më shumë se 300 mijë lekë duhet të paguajë më shumë taksa se “Flamuri pa bisht” që është ministër i Brendshëm? Po pastruesja e kryeministrisë pse duhet të paguajë më shumë taksa se kryeministri? Kësaj pyetjeje i jepet përgjigjia se janë porositë e Spiro Kolekës. Por, kjo i bie që Spiro Kolekën ta dëgjojnë edhe Merkel, Sarkozy, Cameron dhe imperialisti Barack Obama”, deklaroi Rama.

Nga qyteti bregdetar, kryetari i opozitës deklaroi se i fundit që duhet të flasë për turizmin është kryeministri aktual, që e ka lënë insfrastrukturën aq të dëmtuar sa asnjë pushtues nuk do ia bënte këtë vendit, tha ai, duke ironizuar deklaratat e kreut të qeverisë për rrugën e Krujës.

“Dhe del atje dhe thotë se, Kruja është në gjendje të rëndë dhe thotë se fajtor është Edi Rama dhe klani i tij i betonit, që e kanë gryer Krujën për të bërë beton. Ndërkohë që i vetmi subjekt që bën beton në Tiranë është klani”, tha Rama.

Kreu i opozitës premtoi edhe ndërtimin e korridorit të kaltër, vijës bregdetare të lidhur me atë rajonale dhe ndërtuar sipas standarteve europiane. Edi Rama tha se do ngrihet një agjenci kombëtare për bregdetin, e cila do të merret posaçërisht me rehabilitimin e territorit në vijën bregdetare.

“Ne nuk mund të tolerojmë bathorizimin e bregdetit të jonit, ne do zgjidhim çështjen e pronësisë gjatë gjithë bregdetit dhe nuk do lejojmë që ai të mbahet i pushtuar me letra të falsifikuara dhe proçese gjyqësore të manipuluara”, u shpreh Rama.

“Diplomacia, strehë talebanësh”

Konferenca rajonale e programit në Vlorë mbahet një ditë pasi demokratët ndërmorën nismën për hetimin parlamentar të kreut të opozitës, për të ashtuquajturin “incidenti i Vjenës”.

Por Rama e ka kaluar pa konsideratë këtë nismë të kundërshtarëve politikë, duke mos e përmendur fare në fjalimin e tij. Ai vetëm e ka ironizuar në profilin e tij në Tëitter, ndërsa kjo ka shërbyer vetëm për të përsëritur premtimin e opozitës të artikuluar nga Ditmir Bushati, se diplomacia duhet të kthehet në binarët e meritokracisë.

“Do t’i çlirojmë dhe rilindim diplomatët shqiptarë, ata profesionistë kuptohet, se ata talebanë do kthehen andej nga kanë ardhur. Shërbimi diplomatik do punojë për të rritur dinjitetin e shtetit shqiptar dhe për të thithur investimet e huaja”, deklaroi Bushati.

Top Channel