Milo: E majta fitore në 23 qershor

27/04/2013 00:00

Partia Demokracia Sociale nisi fushatën për zgjedhjet parlamentare të 23
qershorit. Paskal Milo shpjegoi para anëtarëve të Komitetit Drejtues,
negociatat dhe marrëveshjen me Partinë Socialiste.

“Personalisht e gjykova të papranueshme këtë ofertë. PDS, aq sa është dhe nuk është pak, nuk mund të shkrihet për t’i siguruar një vend në Kuvendin e Shqipërisë kryetarit të saj. Eshtë për të ardhur keq, që atë që nuk e bëri PS, e bëri zoti Berisha me kryetarët e partive të tij aleate, duke i futur ato në listën e Partisë Demokratike”, tha Milo.

Ndërsa thekson se e majta do të fitojë në 23 qershor, Milo kërkon që opozita të veprojë e bashkuar pasi, sipas tij Berisha është armiku i zgjedhjeve.

“Aleanca për Shqipërinë Europiane të mos ushqejë iluzione për një fitore të lehtë se mjafton që erdhi Lëvizja Socialiste për Integrim atje ku e ka patur vendin me kohë dhe suksesi është i garantuar. Do të ishte naivitet i pafalshëm. Nevojitet front i bashkuar në formë dhe në përmbajtje. Gjithësecili ka se çfarë të ofrojë, askush nuk është i tepërt”, tha Milo.

Top Channel