Rama: Në 300 ditë vendosim rendin

26/04/2013 00:00

Partia Socialiste prezantoi në Tiranë strategjinë e rendit dhe sigurisë të programit “Rilindje”. Kryesocialisti Edi Rama premtoi se brenda 300 ditëve të para të qeverisjes socialiste do të kthehet siguria dhe, sipas tij, policia e shtetit do të jetë tërësisht në krye të detyrës dhe në shërbim të shqiptarëve.

“Kemi angazhim që brenda 300 ditëve të para do të zhvillojmë një luftë të paparë me krimin. Do të kthejmë Policinë e Shtetit në krye të detyrës dhe do t’u japim shqiptarëve në shërbim të tyre një polici shteti si asnjëherë më serioze dhe më të gatshme për t’iu përgjigjur sfidave dhe do të shënojmë një fitore të rëndësishme në betejën me krimin. Sigurisht që ne nuk besojmë se lufta ndaj krimit është një luftë që mund të zhvillohet dhe të përfundojë brenda 300 ditësh, por besojmë se brenda 300 ditësh mund të zmbrapsim krimin dhe të rimarrim në dorë kontrollin mbi territorin dhe të vendosim një ekuilibër të ri në raportin e forcave në këtë fushë-betejë, ku krimi sot ka epërsi”, tha Rama.

Duke u ndalur tek vrasjet e regjistruara së fundmi në vend, Rama theksoi se përvec forcimit të strukturave të policisë së shtetit dhe ndryshimi i raporteve në terren, ku krimi të mos ketë më epërsi, qeverisja socialiste do të përqendrohet edhe të shkaqet e rritjes së krimit.

“Besojmë se e rëndësishme është edhe beteja me shkaqet e krimit, një betejë që do të zhvillohet cdo ditë pa pushim në 4 vitet e mandatit qeverisës. Vetëm në 48 orët e fundit kanë humbur jetën 3 persona dhe ky është një numër që tanimë është bërë i zakonshëm, që nuk skandalizon askënd. Njerëzit janë mësuar që cdo ditë të shohin përmes ekraneve që shqiptarë të pafajshëm të humbasin jetën në një mjedis të pasigurtë”, u shpreh Rama.

Nga kjo luftë, vijoi kreu i opozitës, duhen përfituar 2 gjëra, paprekshmëria e individit dhe pacënueshmëria e pronës.

Më pas fjalën e mori deputeti socialist, Sajmir Tahiri. Ai tha se Policia e Shtetit është shndërruar në një organ partiak që shfrytëzohet për qëllime elektorale dhe në funksion të pushtetarëve dhe jo të qytetarëve. Përmirësimi i imazhit të Policisë së Shtetit, tha Tahiri, është objektivi i ditëve të para të qeverisjes së Partisë Socialiste.

Top Channel