Legalizimet e ndërtimeve pa leje

26/04/2013 00:00

Ndryshimet në Ligjin për Legalizimin e Ndërtimeve pa leje u shoqëruan me
debate të forta mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës.

Amendimet e propozuara zhbllokojnë shumë dosje të palegalizuara për shkak të pengesave ligjore, si dhe hapin rrugën për legalizimin e rreth 100 mijë objekteve të tjera pa leje të ndërtuara pas vitit 2006. Por sipas opozitës i gjithë ky është një bllof për qëllime elektorale.

“Po, është e vërtetë që jemi të detyruar ta spostojmë këtë afat, për shkak se dhe vetë pushteti vendor nuk ka arritur akoma kapacitetet e duhura që të menaxhojë territorin dhe të ndërpresë rrethin vicioz të ndërtimit informal”, thotë zëvendësministri i Transporteve, Flamur Kuçi.

“Konstatojmë që numri i dosjeve të mundura për t’i shkuar deri në fund procesit të legalizimit, vjen duke u reduktuar, sepse kemi këto barriera. Sjellim sot pikërisht këtë për të hapur rrugën për përfundimin e procesit të legalizimit për të gjitha ndërtimet informale. E shtyjmë propozimin dhe për ato ndërtime dhe efektet e ligjit dhe për ato ndërtime që janë ekzekutuar apo ndërtuar pas ditës së hyrjes në fuqi të ligjit 2006”, tha kreu i ALUIZNI-t Ardian Kollozi.

“8 vjet në qeveri, të vish dy muaj përpara zgjedhjeve, prapë me një amendim duke u premtuar shqiptarëve që do të bëhet legalizimi, ky është një bllof me qëllime politike dhe elektorale”, thotë deputeti socialist Eduart Shalsi.

Në nga ndryshimet e debatuara ishte legalizimi i 30 mijë objekteve që janë ndërtuar pranë akseve rrugore kombëtare.

“Përllogarisim rreth 30 mijë ndërtime pa leje që penalizohen nga fakti se duhet të ruhet distanca 100 metra nga dy anët e aksit të rrugës. Kemi bërë propozimin t’i referohemi Kodit Rrugor. Reduktohen distancat në 20, 25 dhe 30 metra nga aksi i rrugës”, tha Kollozi.

“Qoftë Durrës-Rrogozhinë, qoftë Durrës-Milot, të gjitha këto akse do të duhet të zgjerohen, por pranë tyre në të gjitha janë bërë ndërtime pa leje. Të gjitha do t’i legalizoni? Nuk do të lini asnjë objekt pa legalizuar, që pastaj shteti të jetë i detyruar që do të shpronësojë dhe më pas situata komplikohet shumë dhe fatura rritet mjaft”, tha deputeti Blendi Klosi

Ndryshimet parashikojne edhe legalizimin selektiv te objekteve kur në to përfshihen ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero.

Top Channel