“Top-Story”, koalicionet zgjedhore

25/04/2013 00:00

Tashmë ka kaluar afati zyrtar i dorëzimit në KQZ të listave të koalicioneve të dy partive të mëdha dhe një tjetër shenjë se sa të polarizuara do të jenë këto zgjedhje, si rrallë herë, të gjitha partitë politike janë o në njërin kamp ose në tjetrin.

Të vetmet partitë që zgjodhën të qëndrojnë vetëm, përmes një debati jo të vogël e me ftesat që nuk i munguan, ishin dy formacionet e reja, Fryma e Re Demokratke dhe Aleanca Kuqezi.

Por a kanë bërë zgjedhjet e duhura, cilat janë strategjitë dhe cili është në letër fitues sot, dy muaj përpara zgjedhjeve?

E megjithatë, me këto pyetje ende me pikëpyetje për shkak të krizës së KQZ-së, lindin pyetje të reja, a ka realisht një negoaciatë për të zgjidhur këtë krizë, e cilat janë ofertat nën tryezë?

Për të debatuar për të gjitha këto çështje akute të ditës, të ftuar në studion e “Top-Story”, emisionin të përjavshëm politik të Sokol Ballës ishin Ridvan Bode, sekretari i Përgjithshëm i PD-së dhe ministër i Financave, e një aleat tradicional, ndonëse problematik në shumë raste i së djathtë, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu.

Përballë tyre, sekretari i Partisë Socialiste për çështjet zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe një aleat tradicional, gjithashtu problematik i së majtës, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Bode: Koalicioni i djathtë, mozaik vlerash

”Emërtimi i koalicionit për “Punësim, Mirëqënie dhe Integrim” përpiqet të fokusojë objektivin dhe atë që bashkon këto parti në koalicion, një devizë elektorale e përbashkët. Ndaj u vendosën tre elementë që do të jenë në thelbin e qeverisjes e programin elektoral të partisë e koalicionit. Mendoj se ne si PD kemi një histori të gjatë suksesi me koalicionet, pasi kemi mundësuar që të formëzojmë gjithmonë koalicione të gjera dhe nuk kërkojmë një pushtet të përqendruar, ne kemi treguar se dimë të pjestojmë pushtetin midis të gjithë kontributorëve në një koalicion. Siç e patë edhe në këtë rast, nuk pati shumë diskutime të gjata me partitë e tjera, pasi kemi krijuar një besueshmëri në lidhje me koalicionet. E nuk është e vërtetë që tani jemi më pak, në 2009-n kemi qenë 16 forca, ndërsa tani 26, nga të cilat 24 kanë një historik elektoral votash në zgjedhjet e shkuara”, nisi debatin e tij në studio ministri i Financave, Ridvan Bode.

Gjiknuri: Koalicioni i gjerë, provë e zhgënjimit nga kjo qeverisje

Duke komentuar përbërjen e koalicionit të majtë, sekretari socialist për çështjen zgjedhore, Gjiknuri tha: “Në total janë 40 parti, diçka që flet në një farë mënyrë për zhgënjimin e shumë faktorëve politikë nga deviza e munguar e kësaj qeverie, pikërisht papunësia, mungesa e mirëqënies dhe mungesa e integrimit, që tani janë objektivat e mandatit të ardhshëm”.

Sipas Gjiknurit, “fakti që 40 parti shfaqën dëshirën për t’u rreshtuar në koalicion e fitores, tregon se ka një tendecë që kahu i pushtetit po ndryshon, pasi gjithmonë e më shumë forca politike e ndiejnë që vendi ka nevojë për rotacion, përballë këtij realiteti. Negociatat këtë herë ishin jo të vështira dhe thyen një mit që Berisha kishte implantuar, që Rama s’di të ndajë pushtet dhe i do të gjitha për vete. Ne në mënyrë të hapur kemi përcaktuar mënyrën e ndarjes së pushtetit me aleatët tanë”.

Mediu: Zgjedhja e PR, vazhdimësi e marrëdhënies me elektoratin

Në fjalën e tij, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu tha: “Zgjedhja jonë për t’u renditur në koalicionin e majtë është në vazhdimësi e marrëdhënies që kemi krijuar me elektoratin. Në 2011-n qytetarin e vendosëm të parin në zgjedhjet lokale dhe tani e vendosim në një kontekst të ri, kjo është një shprehje që frymëzon një logjikë të përbashkët. Në zgjedhjet e fundit, 37 mijë vota që i janë ofruar koalicionit, janë pjesë e një popullsie shqiptare që janë bashkuar me këtë elektorat dhe i kanë besuar PD-së, janë vota të marra sipas këtij kodi zgjedhor, duke bërë që PR të fusë një deput, por të kontribuojë me tre të tjerë. Ajo që është e rëndësishme, çdo aktor që ka kontribuar, është bërë pjesë jo vetëm e garës për Parlamentin, por edhe e qeverisjes së vendit dhe PD ka treguar një vlerësim për këto vende, duke mos bërë që partitë të jetë shtojca, por aktorë realë në jetën politike të vendit”.

Dule: Me PS na bashkon opozitarizmi, rikthimi i shpresës

Nga ana e tij, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i bëri një shpjegim më të gjatë radhitjes në koalicionin e majtë, vendim i parë që përpara se AK të vendoste se në cilin koalicionin do të përfshihej. Njëkohësisht, zoti Dule e konsideroi si të natyrshme zgjedhjen e forcës së tij politike.

”Së pari, ajo që na bashkon dhe që në disa momente që na ka ndarë, është opozitarizmi. Ne jemi ndarë në disa momente sepse besonim dhe besojmë se Partia Socialiste nuk ushtroi opozitën me atë intensitet për t’i shkurtuar mandatin kësaj mazhorance, që i vodhi votën opozitës, nëpërkëmbi institucvionin më themeltar të shtetit, zgjedhjet”, nisi shpjegimin e tij zoti Dule.

”Në ato kushte, kjo mazhorancë nuk kishte asnjë shans që të kishte një mandat të suksesshëm, e nëse mazhoranca sot është në prag të përmbylljes së këtij mandati të dështuar, këtu ka përgjegjësi edhe PS. Këtë do ta vazhdoj ta them gjithmonë, por me PS na bashkon ajo që bashkoi edhe në 2009-n, rotacioni politik për t’i rikthyer këtij vendi shpresën. Ne nuk kemi stanjacion, por regres në ekonomi, financa, në demokraci dhe sërisht me këtë mazhorancë, diskutojmë përbëjen e komisionit, ZAZ-ve, KQZ-së, e zgjedhjet janë sërisht të kërcënuara. Këto janë arsye madhore për të formuar koalicionin”.

”Ne kemi qenë me mendim të kundërt në lidhje me veprime në të shkuarën, kemi theksuar dhe vazhdojmë t’i theksojmë e nuk mund të lë pa përmendur që nuk është shqetësim i posaçëm i PDBNJ-së fenomeni i nacionalizmit, por mbi të gjitha i deklaratës së Komisionit Europian, në raportin e dhjetorit 2012, e nacionalizmi është një fenomen që karakterizon të dy partitë e mëdha”, shtoi Dule.

Në lidhje me përfshirjen në koalicionin e majtë pa pritur vendimin e Aleancës Kuq e Zi për koalicionin ku do të vendoset, Dule theksoi: “PBDNJ nuk është marrë kurrë me forca të caktuara. Ne jemi marrë vetëm me fenomenin edhe kur si personalisht jam targetuar në mënyrë të pahijshme pa as më të voglën etikë e kjo ndodh edhe sot, kjo nuk shqetëson as median dhe as klasën politike, e kjo është më e keqja që mund të ndodhë. Kjo është tipike e sistemeve totalitare dhe sidomos fashisteve e naziste, janë elemente që duhet t’i heqim qafe, pra për ta përmbledhur me PS na bashkon rikthimi i shpresës, perspektivës dhe garantimi i saj”.

Batuta Bode-Gjiknuri mbi koalicionet e ndërsjellta

Në vazhdim të bisedës, duke komentuar koalicionet e palës tjetër, Bode ironizoi: “Në zgjedhjet e fundit, në 2009-n, Partia Socialiste vendosi që praktikisht të ishte e vetme, konkurroi me vetëm pesë parti të tjera në koalicion. Ndërsa tani vjen hapja totale, në 40 a 50 parti, se mendojnë që numrat do të sjellin fitoren, por harrojnë që në politikë 1 dhe 1 nuk bëjnë gjithmonë dy”.

”E ç’mozaik vlerash flet PD, kur ka fituar gjithmonë me votat e majta, si ato të LSI-së dhe vetë gjithmonë ka qenë opozitë”, komentoi Gjiknuri. “E njohim mirë këtë koalicion vlerash, koalicionin që u bë me komunistët e Hysni Milloshit vetëm për të fituar Bashkinë e Tiranës”, shtoi sekreari i PS për çështjet zgjedhore.

Në një analizë të thelluar të numrit të votave të dy koalicioneve, ai i majtë është në avantazh me 38 mijë vota karshi koalicionit të djathtë të udhëhequr nga Partia Demokratike. Por a do të përkthehet në mandatet deputetësh në Kuvend ky avantazh? Kësaj pyetje është vështirë t’i jepet një përgjigje para zgjedhjeve, por palët në studoi ndanë qendrime të ndryshme.

Ministri Bode tha se avantazhet elektorale jo gjithmonë përkthehen në mandate, në bazë kjo të Kodit Zgjedhor që kemi zgjedhur, ndërsa të njëjtin argumentim mbrojti edhe kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Lidhur me premtimet e aleancës së djathtë, kreu i PR-së tha: “Mendoj që marrëdhënia elektorale është me qytetarin dhe ajo që kemi bërë në  fushatë është marrëdhënia me individin dhe kjo i duket abstrakte Partisë Socialiste. Kjo bëhet për të kuptuar që nuk e zhvillon asgjë tjetër këtë vend përvecse individëve të këtij vendi nëpërmjet ligjeve dhe platformave. Pallavrat që thonë se qeveria punëson s’është gjë tjetër vetëm fryrje e administratës dhe barrë për biznesin. Zhvillimin ekonomik e sjell biznesi dhe jo qeveria, edhe taksa progresive që propozon PS është e gabuar në këtë drejtim”.

Por deputeti socialist Damian Gjiknuri duke përllogaritur avantazhin dhe gjithë faktorët e tjerë tha: “Koalicioni i majtë me shifrat që janë sot, nga të gjitha rrethanat e shoh të paktën 5 mandate më shumë dhe ja pse Berisha ka kaluar në panik total dhe flet përcart në parlament”.

Ditët e fundit të mbylljes së afatit zyrtar për koalicionet zgjedhore ishin të ngjeshura dhe të gjitha palët u përfshinë në bisedime të ethshme. Të djathtët dolën me ftesë për të gjitha partitë e djathta dhe të qendrës për t’u bashkuar. Një profil të qendrës së djathtë ka edhe Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit, po a vlejti ftesa edhe për këtë parti? Kësaj pyetje Ridvan Bode iu përgjigj: “Ftesa për FRD ka qene parimore,  që të mbledhë të gjitha partitë e qendrës dhe të djathta. Kjo ishte ftesa dhe nuk ishte një thirrje e dëshpëruar”.

Aleanca Kuqezi

Deputeti socialist, Damian Gjiknuri, njëkohësisht negociator i PS-së në bisedimet për formimin e koalicionit opozitar zbardhi disa detaje të bisedimeve me kreun e AK-së, Kreshnik Spahiu. Sipas tij, Spahiu shtroi në tryezë kërkesa absurde vetëm e vetëm për të mos bërë koalicion me Partinë Socialiste. “Negociova me një njeri që nuk donte të bëntë asnjë marrëveshje, që parashtronte kërkesa absurde. Programi ynë është arrestimi i Sali Berishës, thoshte ai. Por s’mund të vemë në program koalicioni arrestimin e Berishës, një politikan me imunitet. Nuk mund të bëhet. Dhe më pas thoshte dua një referendum brenda 2 vjetësh për bashkim me Kosovën. Ajo që tha Rama, dhe që po thonë shumë të tjerë tashmë është e vërtetë fatkeqësisht, shqiponja na është kthyer në sorrë dhe sorra kur të dalë Berisha në opozitë do na kthehet në kukuvajkë”.

Për kreun e PBDNJ-së AK është forcë politike e krijuar nga mazhoranca për të dëmtuar opozitën. “Është fenomeni i njohur i krijimit të një force radikale që qendron në periferi të opozitës. E para kompaktëson mazhorancën dhe përcan opozitën. Fatkeqësisht ra pre e këtij fenomeni politika dhe gazetaria. Në 2005 në Tiranë qarkullonin disa postera kërcënuese kundër ministrave socialistë dhe autori i tyre ishte kreu i AK-së së sotme. Katër vjet më parë zgjidhet nënkryetar i KLD nga PD dhe mënjanohet 1 vit e gjysmë para zgjedhjeve”.

Deputeti socialist, Gjiknuri shtoi se si kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, pasi kishte marrë mbështetjen e strukturave të partisë së tij për të bërë koalicion me Partinë Socialiste, kishte dalë në konferencë për shtyp duke deklaruar të kundërtën. “Zotëria në fjalë pasi mori mbështetjen për koalicion me PS, madje i telefonoi edhe Ramës, doli në konferencë dhe bëri të kundërtën”.

Por zoti Bode i cilësoi të gjitha këto teori konspirative. “Rama vetë është pre e teorive konspirative. Nuk ka argument tjetër vetëm se del që dikush po ma hedh, dikush po më vjedh pushtetin dhe dikush po më merr pushtetin. Ne fitoren nuk e besojmë as tek sharlatanët që mbledhin këta, ne kemi programin tonë, rrugën tonë”.

Edhe për kreun e PR-së, Fatmir Mediu, arsyetimi i kreut të PBDNJ-së bëhet në kuadër për të minimizuar rolin elektoral të AK-së. “Nuk ka thellësi gjykimi. Gjithcka bëhet për të minimizuar rolin e elektoral të AK. Këta për 4 vjet nuk ishin në gjendje të kuptonin se kush ishte Kreshnik Spahiu, për 12 orë ishin në gjendje ta bënin”.

Cfarë do ndodhë me KQZ?

Shkurtimisht lidhur me ngërcin në KQZ, edhe në studion e Top Story, palët treguan se nuk kanë lëvizur nga llogoret e mëhershme. PS këmbëngul se Berisha po tenton të grabisë zgjedhjet, ndërsa Bode tha se PS duhet të zbatoje ligjin që është miratuar me kompromis.

Gjiknuri : KQZ është epiqendra që tregon se kush është Berisha. Ai po kërkon të grabisë certifikatën e zgjedhjeve që të bëjë kompromis kur të mos ketë më votat e popullit.

Ridvan Bode: Nëse doni kompromis ligjin e keni bërë me kompromis. Respektoni ligjin dhe bëni kandidaturat në zbatim të ligjit.

Top Channel